Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi – Bashkia Kamëz shkarkon drejtoreshën e kopshtit, e largon edhe si edukatore dhe e sorollat zyrë më zyrë


Ish-drejtoresha e kopshtit Borëbardha në Paskuqan, që është në varësi të Bashkisë Kamëz ka denoncuar shkarkimin e saj nga pozicioni që mbante deri para pak ditësh.

Lytfie Belba ka deklaruar se e kanë larguar nga detyra pa asnjë motivim të qartë dhe se përveç shkarkimit si drejtoreshë e institucionit e kanë larguar edhe si edukatore.

Kryebashkiaku Suli dhe e drejtori i zyrës arsimore deklaruan për mediat se në shkarkim është përmendur edhe motivimi, ‘për shkelje të kodit të etikës në vendin e punës’. Ndërkohë edukatoret e kopshtit ‘Borëbardha’ mohojnë të kenë firmosur ndonjë ankesë apo deklaratë mbi sjelljen e ish-drejtoreshës në vendin e punës.

Zonja Belba thekson se ka arsimin e duhur profesional për të ushtruar detyrën si edukatore, profesion të cilin e ka ushtruar për pesë vitet e fundit, ndërsa ka denoncuar se nuk po e gjen të drejtën duke e sorollatur sa nga njëra zyrë në tjetrën.

Hashtag.al i drejtoi para pak ditësh disa pyetje Bashkisë Kamëz lidhur me lëvizjen në fjalë, mbi kriteret e ndjekura për largimin e saj nga detyra dhe zëvendësimin por deri në momentin e shkrimit nuk ka marrë asnjë përgjigje.