Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Apelit në SHBA refuzon kërkesën e Trump-it për të mos dorëzuar të dhënat për trazirat në Kapitol


Një gjykatë amerikane apeli hodhi poshtë të enjten një kërkesë të ish-presidentit Donald Trump për të mos dorëzuar të dhënat e komunikimit para Komisionit të Përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit në Kapitol, duke thënë se ai nuk kishte dhënë “asnjë bazë” për kërkesën e tij.

“Në të dhënat e paraqitura, ish-presidenti Trump nuk ka dhënë asnjë bazë që kjo gjykatë të anulojë vendimin e Presidentit Biden”, tha një panel prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit për qarkun e Distriktit të Kolumbias, shkruan VOA.

“Të dy degët bien dakord se për këto dokumente ekziston një nevojë unike legjislative dhe se ato janë drejtpërdrejt të rëndësishme për hetimin e Komisionit për sulmin ndaj degës legjislative dhe rolin e saj kushtetues në transferimin paqësor të pushtetit”.

Vendimi shënon një goditje tjetër për ish-presidentin republikan, i cili ka zhvilluar një betejë ligjore të vazhdueshme me komisionin për dorëzimin e dokumenteve dhe paraqitjen e dëshmitarëve.

Trumpi ka argumentuar se materialet e kërkuara nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve mbrohen nga një kod ligjor i njohur si privilegji ekzekutiv që mbron konfidencialitetin e disa komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë.

Gjykata të enjten i dha Trumpit 14 ditë për të paraqitur një kërkesë urgjente në Gjykatën e Lartë për të apeluar vendimin.