Vendosni fjalën kyçe....

Meta për kapjen e 1.5 tonë hashash shqiptar në Turqi: Qeveria të parandalojë raste të tilla, trafiku i drogave vijon me rritmë të larta


Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pasi në Turqi u kapën rreth 1.5 ton hashash nga Shqipëria i transportuar në rrugë detare.

Meta shprehet i shqetësuar duke e konsideruar një nga sasitë më të mëdha të trafikuara nga Shqipëria në Turqi.

Ai kërkon që qeveria dhe institucionet të parandalojnë raste të tilla ndërsa ka kërkuar nga Kuvendi që të rrisë rolin e tij në mbikëqyrjen e luftës së trafikut të drogave dhe krimit të organizuar.

Me mjaft shqetësim kam përcjellë kapjen pranë Izmirit të një sasie rekord droge të nisur në rrugë detare nga Shqipëria.

1,5 ton drogë përbën një nga sasitë më të mëdhaja të trafikuar nga Shqipëria në Turqi në rrugë detare, çka tregon se prodhimi i hashashit, në këtë rast i llojit më të fundit skunk, dhe trafikimi i tij nga grupet e krimit të organizuar, vijon me ritme të larta në vend.

I bëj thirrje Qeverisë, institucioneve ligjzbatuese dhe të sigurisë në vend, që të tregojnë vullnetin e duhur politik, si dhe të forcojnë kapacitetet profesionale dhe bashkëveprimin në terren, për të parandaluar raste të tilla, që përbëjnë rekorde të zeza për vendin.

Gjithashtu, apeloj për hetimin e plotë dhe të thellë të këtij trafiku kriminal dhe sjelljen përpara drejtësisë të të gjithë atyre që qëndrojnë pas tij.

Po kështu, i bëj thirrje Kuvendit të rrisë rolin e tij në mbikëqyrjen e luftës kundër trafikut të drogave dhe krimit të organizuar”-shkruan Meta.