Vendosni fjalën kyçe....

Berisha fjalim para demokratëve: Ky është Kuvendi më madhështor në historinë e pluralizmit shqiptar në 30 vite, monument i rithemelimit të PD-së


Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e tij para demokratëve që e pritën me duartrokitje dhe brohërima tha se ky ishte Kuvendi më i bukur në historinë e pluralizmit shqiptar.

Ai deklaroi se Kuvendi i sotëm ishte një monument i rithemelimit të PD-së.

“Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit më madhështor, më të bukur, më triumfues, më mahnitës në historinë e Pluralizmit shqiptar këto 30-vite.

Kuvendi që mblidhet si monument madhështor i Rithemelit të PD-së, Kuvendit të parë në histori të kultit të anëtarit të PD-së, të kultit të Rinisë, të anëtarit të lirë.

Ju përshëndes sot nga kjo platformë në të cilën vendosim të rithemelojmë forcën e madhe politike të PD-së. Ta shtrojmë atë në partinë e idealeve tuaja më fisnike, në partinë e vlerave konservatore më të mira, në partinë e interesit kombëtar, në partinë e fuqishme euroatlantike, por më e rëndësishme në partinë e qytetarit e anëtarët, që nesër në pushtet do të ketë në qendër qytetarin shqiptar, hallet e interesat e tij. Nesër në pushtet do vendosë në fuqi vlerat më të mëdha, më të çmuara, liritë dhe të drejtat e individit, dinjitetin njerëzor, familjet shqiptare, ekonominë dhe tregun shqiptar, rritjen e pagave dhe pensioneve, do ketë në epiqendër shtetin ligjor. Barazinë para ligjit.

Ky është apeli juaj, bindja juaj sot nga ky tubim I jashtëzakonshëm, nga ky Kuvend I pashembullt historik.

Ky Kuvend e sjell PD-në në themelet e saj si forcë politike e vokacionit perëndimor të Kombit shqiptar, si forcë politike e interesit kombëtar që sot vuan më shumë se kurdoherë tjetër që nga diktatura komuniste. Miqtë e mi, më lejoni sot në emrin tuaj të përulem me mirënjohje të pakufishme ndaj studentëve liberatorë të dhjetorit të 90-ës që u ngritën me kryeprijësin e tyre Azem Hajdarin.”– deklaroi Berisha gjatë fjalës së tij.