Fatbardh Kadilli i cili kandidoi përballë Lulzim Bashës në zgjedhjet e 13 qershorit për drejtimin e PD-së, mbajti një fjalim para demokratëve në Kuvendin e thirrur sot, pavarësisht se ai vetë nuk ishte një nga firmëtarët.
Në fjalën e tij, Kadilli tha se vetëm nëse përjashtohet edhe Sali Berisha nga gara ky Kuvend do të jetë vertet rruga e re e Partisë Demokratike.
“Ne që më 26 prill duhet të kishim reflektuar. Ndaj unë kërkova dorëheqjen e Lulzim Bashës. Unë garova për kryetar, edhe pse e dija që kisha shumë pak shanse për të fituar. Beteja ime për të sfiduar kryetarin ishte e vetmuar. Në PD askush nuk donte garë. Unë, Harxhi dhe Shehaj ndeshëm pengesa të paimagjinueshme. Me ndihmën tuaj, Basha fitoi një garë që nuk ishte e tillë.
Nuk e tregova këtë histori se dua të dukem trimfues tani që sapo votuat një për një të gjitha propozimet e mia që i shpërfillet disa muaj më parë. Unë kërkoj ndryshim të mendësisë tonë. Jemi ne me mendësinë tonë që ia lamë Lulzim Bashës partinë ta kontrollonte totalisht.
Ne na mungon kultura e lirisë dhe e demokracisë.
Nuk ka statut partie që ndalon kontrollin e partisë nga kryetari është kot nëse ne lejojmë të kontrollohemi. Kjo është prova e vërtetë që ne kemi sot në këtë parti.
Sfida e vërtetë e neve sot është që edhe Sali Berisha nuk mund të zgjidhet kryetar partie. Vetëm nëse edhe Basha, edhe Berisha përjashtohen nga e drejta që të zgjidhen kryetarë partie vetëm atëherë ne hedhim hapa para. Vetëm nëse ndalemi nga mesjetizmi ne nisim një rrugë të re.
Prej njerëzve me vizion dhe ideale duhet të dalin udhëheqësit e rinj të PD. Nuk kemi nevojë për liderin historik apo atë evropianin fals, por një brez të ri politikanësh.”- tha Kadilli, i vetmi zë kundër Berishës në këtë Kuvend.