Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi ka bërë disa kritika për ish-kryeministrin Sali Berisha, në Kuvendin Kombëtar që po zhvillohet sot në “Air Albania“ të thirrur nga ky i fundit.
Ai i është drejtuar Berishës duke i thënë që për sa kohë është shprehur hapur kundër George Sorosit duhet të luftojë edhe aplikimin e politikave të tij në Shqipëri dhe të ndalojë së mbështeturi figura si Tritan Shehu që kërkojnë vaksinim të detyruar, madje edhe për 5-vjeçarët.
Elezi artikuloi nevojën urgjente të pozicionimit të PD-së kundër vaksinimit me detyrim njësoj si Republikanët Amerikanë.
“Nuk u diskutua dhe nuk u fol fare për vaksinimin e detyrueshëm. Jo thjesht si një proces. Vaksinimi i detyrueshëm dhe të gjitha masat e marra gjatë gjithë kësaj kohe të Pandemisë apo Plandemisë, janë masa që shumica janë marrë nga Facebook-u. Laq lehtë mund të shkelen të drejtat dhe liritë themelore në këtë vend.
E dini ju që ka edhe nga ata prej jush që mendojnë se e dinë shkencërisht problemin e virusit dhe thonë që edhe fëmijët 5-vjeçar… është Tritan Shehu… e keni në krah aty doktor… edhe fëmijët 5-vjeçarë duhet të vaksinohen. Jo mor jo! E drejta për t’u vaksinuar është e drejta ime.
Është e drejta themelore e imja.
Përderisa këtë vendim e kanë marrë edhe republikanë në SHBA… se njerëzit nuk janë kavie… atëhere këtë qëndrim duhet ta kishim artikuluar fort.
Tezat e George Sorosit para 3 vjetësh doktor… (Elezit i tërhiqet vëmendja se po i mbaron koha).
Po e mbarova. Janë teza që i kemi bërë prezent të gjithë politikat e njerëzve të Sorosit në Shqipëri, janë të gjitha teza që po aplikohen dhe po çojnë në shpopullimin e Shqipërisë, shkatërrimin e ekonomisë, marrjen peng të këtij vendi… Opozitarizmi për këtë çështje ka mbetur vetëm në duart e Altin Goxhajt për kushedi sa vjet… dhe më bëhet qejfi doktor që i jeni rikthyer tezave të tij. Por do të ishte në dinjitetin tuaj që ta aplikoni edhe në atë 29-shin… përderisa ju po e artikuloni fort kundra George Sorosit dhe të përfshihen njerëz që po mbështesin ato politika të George Sorosit nuk është fort serioze.”- tha Elezi.