Vendosni fjalën kyçe....

Reshje të dendura shiu e bore në vend, si paraqitet gjendja deri tani


Reshje të dendura shiu e bore kanë përfshirë vendin. Ato kanë shkaktuar disa probleme për sa i përket qarkullimit, megjithatë raportohet se të gjitha rrugët kryesore në vend janë të kalueshme, ku në zonat me borë kërkohet mbajtja e zinxhirëve.

Në Dardhë të Korçës, trashësia e borës ka arritur deri në 35 cm. Edhe në Pogradec ka pasur reshje të dendura bore ku trashësia ka shkuar deri në 25 cm ndërsa ka pasur vështirësi në kalimin e Qafë Thanës edhe pse rruga mbetet e hapur.

Disa fshatra si Velçani, Dardhasi apo në Proptisht kanë mungesë të energjise elektrike.

Duhet theksuar se në fshatrat e thella nuk është i mundur qarkullimi i mjeteve për shkak të rrëshqitjëes së dherave, rënies së gurëve e trashësisë së borës. Të bllokuara janë rruga e Dunicës, fshatrat malore Niçë, Osnat, Dërdushë e Stërkanjë.

Reshjke të dendura bore ka pasur edhe në qarkun e Kukësit me trashësinë e saj që ka shkuar deri në 20 cm. Deri tani nuk raportohet për rrugë të bllokuara.

Në Lezhë, raporrtohet se mbi 150 hektarë tokë në Balldre janë nën pushtetin e ujit ndërsa niveli i lumenjve Drin, Gjadër e Mat është ende në kuotën normale. Megjithatë të gjitha rrugët kryesore në vend janë të kalueshme.

Në jug të vendit, reshjet e shiut kanë dëmtuar urën e fshatit Mesaplik në Selenicë duke e nxjerrë atë jashtë përdorimit e duke bllokuar më shumë se 300 banorë.