Vendosni fjalën kyçe....

Tornadot përfshijnë disa shtete në SHBA, dyshohet për mbi 50 viktima në Kentaki


Guvernatori i shtetit amerikan të Kentakit ka njoftuar se më shumë se 50 persona mendohet se janë vrarë nga tornadot e ndodhura gjatë natës.

Guvernatori Andy Beshear tha se shifra e viktimave mund të rritet deri në 100, duke shtuar se këto ishin tornadot më të këqija në historinë e shtetit.

Ai tha se numri i viktimave ishte “ndoshta më afër diku midis 70 dhe 100, është shkatërrues”.

Siç shkruan BBC, tornadot po bëjnë kërdi në disa shtete të SHBA-së. Në shtetin e Illinois thuhet se mbi 100 punëtorë kanë mbetur të bllokuar në një magazinë të “Amazon” në Kentaki.

“Ne besojmë se do të humbasim të paktën dhjetëra nga ata individë.”- tha Beshear.

Magazina e Amazon u dëmtua gjatë një tornado të premten mbrëma, thanë autoritetet.

Nuk është ende e qartë se sa njerëz u lënduan nga shembja e çatisë së ndërtesës, por shërbimet lokale të urgjencës e kanë quajtur atë një “incident me viktima masive”.

Një grua, Sarah Bierman deklaroi se partneri i saj ishte ende i zhdukur.

“Unë fola me të rreth orës 8 të mbrëmjes, pak para se t’i dërgoja mesazh dhe ai po kthehej në magazinë për të lënë furgonin e tij. Dhe që atëherë nuk kam dëgjuar më për të.”– i tha ajo agjencisë së lajmeve Reuters.

“Vendosa të zbres këtu për të parë se çfarë po ndodhte. Nuk e kisha idenë se ndërtesa dukej aq keq. Dhe unë jam thjesht … jam e shqetësuar. Thjesht dua të di nëse ai është mirë.”- shtoi ajo.

Kompania “Amazon” tha se po vlerësonte situatën dhe dëmet.

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Kentaki. Policia tha se tornado shkaktoi “dëme të konsiderueshme” në të gjithë pjesët perëndimore të shtetit.