Vendosni fjalën kyçe....

Trafiku drejt Greqisë/ Shkon në 187 kilogramë sasia e drogës së sekuestruar në Kapshticë, një tjetër i arrestuar


Policia e Korçës vijon operacionin antidrogë të koduar “Restart”, duke arrestuar një tjetër të dyshuar dhe sekuestruar sasi të tjera lënde narkotike.

Në një njoftim për mediet, bëhet me dije se ka shkuar në 5 numri i të ndaluarve dhe në 187.4 kg lënda narkotike e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, që ka startuar një muaj më parë për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Personi që është ndaluar sot është identifikuar si Gjergji Mollanji, 47 vjeç, banues në Korçë.

Ai po qarkullonte me automjetin tip “Mazda” dhe është mbajtur në ndjekje forcat e Policisë deri në Kapshticë. Në mjetin e tij u gjetën 61 pako me peshë 73.4 kg, lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Njoftimi i Policisë:

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme dhe Narkotikët në DVP Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit.

Në vijim të operacionit mbrëmjen e djeshme u sekuestrua dhe 73 kilogramë e 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis si dhe është vënë në pranga poseduesi i lëndës narkotike që tentonte për t’a trafikuar në drejtim të shtetit grek.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe SHÇBA Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Restart”, nisur 1 muaj më parë, ku u vunë në pranga 4 shtetas dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 114 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i informacioneve të grumbullauara nga hetimet proaktive, gjatë mbrëmjes së djeshme u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i një pjesëtari tjetër të këtij grupi kriminal konkretisht shtetasit Gj. M., 47 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas qarkullonte me automjetin tip “Mazda” dhe është mbajtur në ndjekje nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, deri në Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë dhe në bazë të informacioneve të grumbulluara shërbimet e përbashkëta policore e kanë kaluar për kontroll të imtësishëm automjetin që ky shtetas drejtonte.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të mjetit, shërbimet e policisë gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 61 pako me peshë 73.4 kg, lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të kundërligjeshme, në të cilën janë përfshirë disa shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.