Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Itali ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla


Arrestohet në Itali ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Sipas “Shqiptarja.com”, Llalla është arrestuar në Romë në datën 10 dhjetor, teksa autoritetet shqiptare janë njoftuar ditën e sotme.

Kujtojmë se LLalla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej datës 8 tetor të këtij viti.

Nga verifikimet e atëhershme rezultoi që Llalla ishte larguar jashtë vendit pak ditë para shpalljes së vendimit të gjykatës, për ta dënuar atë me dy vite burg dhe për t’i konfiskuar pasurinë.

GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.  Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.

Llalla ka këmbëngulur përmes avokatit të tij në pezullimin e dënimit me 2 vite burgim me pretendimin se nuk e përballonte dot burgimin për shkak të gjendjes shëndetësore. Por Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi që të lërë në fuqi vendimin për dënimin e ish-kryeprokurorit.

Sjellim ndërmend se gjatë kohës që ishte në detyrë, Llalla u përplas me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, të cilin e akuzoi për çështjen e ‘Bankers Petroleum’./ Hashtag.al