Pesë persona janë arrestuar në Tiranë së fundmi. Dy të rinj, 23-vjeçari Klodi Qerimi e 19-vjeçari Gersjan Berisha, janë prangosur pasi u kapën duke u përpjekur të vidhnin një banesë në rrugën ‘Selaudin Bekteshi’ në kryeqytet.
Sipas policisë, ata kanë kryer edhe disa vjedhje të tjera më herët ndërsa për të kryer vjedhjet ndërprisnin energjinë në rrugë e në kamerat e vendosura në hyrje të banesave për të mos u identifikuar.
Në pranga kanë rënë edhe Artan Kernaja, 47 vjeç dhe Fatmir Lizi, 48 vjeç, të dy banues në Tiranë, të dy të dënuar më parë për vrasje në Itali dhe Zvicër. 47-vjeçari kishte bërë kallëzim të rremë në Komisariatin e Policisë Nr. 4, se i kishin vjedhur automjetin, i cili u gjet i braktisur në anë të rrugës në Peqin të Elbasanit.
Sipas policisë ata kishin shkuar për të vjedhur në një banesë në Peqin dhe kur kanë parë shërbimet e Policisë në pikë kontrolli, kanë braktisur mjetin me qëllim fshehjen e sendeve të kundërligjshme që kishin në automjet, të cilat do t’i përdornin për të kryer vjedhjen.
Të dy personat në fjalë janë dënuar më herët për vrasje.
Në vitin 1997, 47-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, një shtetas, në zonën e Laçit dhe për këtë ka bërë 18 vite burg ndërsa 48-vjeçari ka kryer 16 vite burg në Itali.
Një 33-vjeçar, i identifikuar si Vehap Kapaj, është arrestuar në flagrancë në rrugën e ‘Kosovarëve’ në Tiranë pasi ishte në ndjekje nga policia për shkak se kishte vjedhur një mjet tip ‘BMW’.