Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Ferrasit rikthehen në banesa pas përmbytjes: Është shkatërruar gjithçka, s’kemi ku flemë


Pas përmbytjeve të ditës së djeshme, gjendja paraqitet e vështirë për banorët e fshatit Ferras të Fierit.

Ata kanë treguar për gazetarët se pas kthimit në shtëpi ata kanë gjetur çdo gjë të shkatërruar.

 “Problemet më të mëdha janë tanë pas lumit. Ka nga dy vjet që s’ka dalë lumi. Siç erdhi dje u çmendëm, gruan e kam me diabet, i vajti 300-350. Dje fjetëm në makinë lart. Nuk jam në gjendje të flas shumë, këto shtëpitë e mia ikën mbaruan. Se çdo vit që vjen lumi ato shkatërrohen. Kur mblidhet një sëmundje mblidhen të tëra, edhe me rematizëm është gruaja ime.

I bëj thirrje kush e dëgjon, qeveria se ne te ajo mbështetemi, ose dhe bizneset të na ndihmojmë. Ne nuk kemi ku flemë. Kemi dalë ngremë dorën dhe shyqyr që doli dielli sot dhe do ngrohemi në diell. Më e keqja është darka, ku do vemi? Do thoni keni të afërm, po secili ka hallet e tij. Ne fëmijët i kemi të larguar, gjithkush punon për vete, s’mund të na ndihmojnë dot kanë fëmijët e tyre kanë hallet e tyre, nuk na ndihmojnë dot. Unë s’di çtë bëj gruan e kam të sëmurë.”– u shpreh një banor.

Një tjetër banor u shpreh nuk kanë qoftë edhe një dyshek të thatë ku të flenë: “Të gjitha orenditë, ja uji një metër e gjysmë brenda. Sa do i ngresh ku do i çosh. Na thanë që do vijnë ti shikojnë. S’kemi ku rrimë, s’kemi ku flemë, s’kemi dyshek të vendosim poshtë. Çdo gjë është ujë. Nuk dimë se ç’a do bëhet. Kemi ndenjur nëpër njerëz nëpër gjiton, një këtu një atje. Shikoje lavatriçen, çdo gjë noton në ujë, shikoje frigoriferin aty. E kemi shumë të vështirë.”

Banorët e fshatit Ferras shprehen se nuk kanë parë askënd që t’u shkojë për ndihmë, nga përfaqësuesit e shtetit.