Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi për personat me armë në seli, Berisha paralajmëron Bashën: Do mbahesh përgjegjës për çdo akt dhune


Në një prononcim të fundit për mediet, para se të largohej nga selia blu, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për denoncimin e rëndë për praninë e personave me armë në PD.

Berisha paralajmëroi Bashën se do mbante përgjegjësi për këtë.

“Kriminale e peng Bashës, i cili ka mbushur selinë me banda të armatosura dhe këta banditë me armë kanë kërcënuar të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së në anën e zyrave të tyre. E dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim kriminal, këtë qëndrim që dëshmon fytyrën e vërtetë të njeriut që për karrigen e tij ka marrë peng gjer para dy ditësh Partinë Demokratike.

E garantoj se do mbahet përgjegjës për çdo akt dhune që do ushtrojnë banditët e tij këtu në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë.

Ftoj demokratët të distancohen menjëherë nga këto akte të turpshme që s’kanë ndodhur kurrë në PD as në ditën e themelimit. Ata që na kthenin armët ne, ishin anëtarë të sigurimit, banditë të ish-diktaturës, por që kryetari apo ish-kryetari të kryejë një akt të tillë, kjo përbën një krim të shëmtuar të gjithëanshëm.”- deklaroi Berisha.