Policia ka mundur të zbulojë një apartament të përdorur nga personi në kërkim Edmir Vlashi, i cili dyshohet se kishte përgatitur një atentat ndaj Preng Palucës, pas konflikteve të dyshuara për drogë jashtë vendit.
Gjatë kontrollit në banesën e gjetur në rrugën ‘Besëlidhja’ në Lezhë, efektivët kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, leje drejtimi për mjet e dokumente të ndryshme.
Sipas policisë, ai bashkë me Hektor Ndokën kishin planifikuar një atentat ndaj Preng Palucës e janë shpallur në kërkim.
Pak ditë më parë, në Lezhë u kap një arsenal armësh ndërsa u arrestuan tre persona të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë të Vlashit e Ndokës. Armët, mes të cilave tre automatikë, pistoleta e fishekë, u kapën në një restorant në Lezhë në pronësi të Nikoll e Marie Markut, të cilët u arrestuan bashkë me dhëndrin e tyre, Mark Lamkja.
Njoftimi
“Si rezultat i hetimeve të thelluara, Policia zbulon një apartament në përdorim nga shtetasi E. V.
Gjatë kontrollit të apartamentit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armë zjarri pistoletë, leje drejtimi dhe dokumente të tjera të lëshuara nga një shtet tjetër.
Shërbimet e Policisë Lezhë kanë vijuar punën intensive për dokumentimin e plotë e veprimtarisë kriminale të shtetasve E. V. dhe M. N. të cilët janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mataro”.
Si rezultat I veprimeve të thelluara hetimore është zbuluar një apartament që ishte në përdorim nga shtetasi E.V. Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në këtë apartament gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, disa mjete identifikimi dhe leje drejtimi të lëshuara nga një shtet tjetër.
Gjatë operacionit “Mataro” u vunë në pranga 3 shtetas, u shpallën në kërkim shtetasit E. V. dhe M. N., si dhe u sekuestruan arsenal me armë, municion, mina me telekomandë, një sasi e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.”