Bashkimi Evropian duhet që ta sanksionojë liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik për përpjekjet e tij për t’u shkëputur nga Bosnje e Hercegovina, tha të hënën ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Baerbock, që mori postin e ministres së Jashtme javën e kaluar, u tha gazetarëve në Bruksel, se situata në Bosnje dhe Hercegovinë është “shqetësuese” dhe se përpjekjet e Dodikut që Republika Sërpska të shkëputet nga Bosnja, ishin “të papranueshme”.
“Për mua personalisht kjo nënkupton që regjimi ekzistues i sanksioneve duhet të përdoret dhe kundër zotit Dodik”, tha ajo pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku ajo bëri presion për sanksionimin e Dodikut.
Komentet e saj vijnë pasi të premten, më 10 dhjetor, Asambleja e Republikës Sërspak miratoi një sërë hapash, që fuqizojnë një nismë për të transferuar disa kompetenca nga institucionet shtetërore, pavarësisht se Perëndimi ka paralajmëruar Republikën Sërpska kundër veprimeve të tilla.
Shtetet e Bashkuara veçse kanë vendosur ndalesë udhëtimi ndaj Dodikut dhe ia kanë ngrirë asetet. Po ashtu, Uashingtoni e ka kërcënuar Dodikun se do t’i vendosë edhe sanksione të tjera, nëse ai vazhdon të bëjë veprime që dobësojnë institucionet qendrore të Bosnjës.
Ideja që BE-ja të vendosë sanksione ndaj Dodikut ka mbështetjen e shumicës së 27 anëtarëve të bllokut, por vendimi për t’ia ngrirë asetet dhe për t’i vendosur ndalesa në udhëtime duhet të jetë unanim, dhe një vendim të tillë po e kundërshtojnë Hungaria dhe Sllovenia.