Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep informacionin zyrtar mbi arrestimin e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla: Do ekstradohet në Shqipëri


Policia e Shtetit ka dhënë informacionin zyrtar mbi arrestimin e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla në Itali.

Kujtojmë se Llalla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më 8 Tetor pas dënimit nga gjykatat shqiptare dhe kur u mësua se ai nuk ndodhej në Shqipëri.

Sipas Policisë së Shtetit, pas arrestimit, Llalla do të ekstradohet në Shqipëri.

NJOFTIMI I POLICISË

Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në pranga, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe zyrës homologe të Interpol Romës.

Kapet në Itali, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar Adriatik Llalla.

Nga Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës, falë shkëmbimit të informacionit me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Adriatik Llalla, 52 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjeter që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.