Vendosni fjalën kyçe....

Rrugë të bllokuara nga bora në Dibër e Korçë, sipërfaqe të mëdha toke nën ujë në Lushnjë e Fier


Pas pushimit të reshjeve të shiut, niveli i prurjeve nga lumi Vjosë ka rënë megjithatë sipërfaqe të mëdha toka mbeten ende nën ujë. Pavarësisht tërheqjes së ujit, në banesa ka mbetur balta e ato janë ende të pabanueshme për mijëra familje.

Edhe në Lushnjë ka rënë ndjeshëm niveli i lumit Seman, por tokat bujqësore mbeten ende nën ujë.

Në Krujë ka pasur reshje të dendura bore në zonat malore, megjitatë fatmirësisht të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme. Problemi i vetëm është në zonën e Qafë Shtamës, që ka mbetur pa energji elektrike.

Edhe Korça ka pasur reshje të dendura bore duke bërë që trashësia në disa vende të shkojë deri në 70 centimetra. Shumë fshatra kanë mbetur të bllokuara pasi rrugët janë të zëna si dhe pa energji elektrike.

Në Dibër temperaturat kanë rënë deri në minus 10 gradë në zonat e thella malore. Temperaturat e ulëta kanë sjellë ngricë në rrugët e qytetit duke shkaktuar jo pak probleme për banorët.  Të izoluara janë Lura, Selishta, Sllova, Kalaja e Dodës si dhe disa fshatra të Luznisë. Në Bulqizë ka pasur probleme në Trebisht, Ostren e Krastë ku ka pasur bllokim të rrugëve nga bora.