Sekretari i shkarkuar i PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me një lajm të raportuar dje në media, sipas të cilit thuhet se në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar, kanë votuar edhe persona që nuk kanë qënë anëtarë.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi sulmon ashpër Syri tv, ndërsa shkruan se mashtron me një mentalitet komunist, të denjë vetëm për punonjësit e Sigurimit të Shtetit.
Sipas Bardhit, personi në foto është Gramoz Hazizolli, përfaqësues i denjë i një familje të përndjekurish politik dhe i degës Ura Vajgurore.
Po ashtu, Bardhi sulmon edhe ish-kryeministrin Berisha dhe Kuvendin Kombëtar të PD, të mbajtur në 11 Dhjetor.
Sipas Bardhit, ai ishte një tubim për interesat personale të Berishës.
Gjithashtu Bardhi i bën thirrje Berishës, “t’i thërrasë burrit të shtetit që kemi njohur të gjithë dhe të pranojë se PD nuk mund të përdoret për interesin e tij personal apo të familjes së tij.”
“Kam marrë sonte me dhjetëra mesazhe nga anëtarë të Këshillit Kombëtar, që shprehin indinjatën ndaj mashtrimeve të paimagjinueshme të medias Syri Tv dhe Syri.net.
Prej disa orësh hedhin baltë përmes shpifjeve ndaj një procesi votimi transparent, të zhvilluar në prani të mediave. Në ndryshim nga tubimi i djeshëm për hallin personal të z. Berisha, ku asnjë media nuk u la të shikonte nga afër procesin dhe asnjë gazetar nuk u lejua brenda për të raportuar në mënyrë të pavarur, PD edhe sot, vendosi të parën transparencën. Në përfundim të procesit, për herë të parë, u lexua e plotë lista e anëtarëve që morën pjesë në votim, ndërkohe që të pranishëm në mbledhje ishin më shumë anëtarë, por disa u larguan për shkak se procesi i diskutumeve dhe i votimit mori një kohë të gjatë.
Syri i zotit Berisha mashtron se në votim ka marrë pjesë një qytetar nga Gjirokastra, që nuk është anëtar i Këshillit. Në fakt personi në foto është Gramoz Hazizolli, përfaqësues i denjë i një familje të përndjekurish politik dhe i degës Ura Vajgurore.
Duke mashtruar edhe për rastin e anëtarit të Këshilit Kombëtar, Gramoz Haziziolli, Syri i zotit Berisha, me një mentalitet komunist, të denjë vetëm për punonjësit e Sigurimit të Shtetit, ka për qëllim të cënojë legjitimitetin e forumit më të lartë vendimarrës të PD, për shkak se zoti Berisha nuk e kontrollon dot këtë forum, siç nuk kontrollon dot as grupin parlamentar, kryesinë, Kuvendin Kombëtar dhe anëtarësinë e PD.
Është koha që zoti Berisha të mos orkestrojë trillime të tilla të ulëta kundër demkratëve që kanë sakrifikuar shumë për të dhe për PD. Është koha që zoti Berisha t’i thërrasë burrit të shtetit që kemi njohur të gjithë dhe të pranojë se PD nuk mund të përdoret për interesin e tij personal apo të familjes së tij.
Pavarësisht qejfmbetjeve, dyshimeve, mosbesimit, demokratët po tregojnë çdo ditë kurajo për të shkuar përpara, për të zgjedhur të ardhmen, për të forcuar PD dhe për ta bërë gati atë si forca që do të udhëheqë vendin.” – shkruan Gazment Bardhi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNA