Vendosni fjalën kyçe....

Zoran Zaev largohet si kryetar i LSDM-së, kush është Dimitar Kovaçevski që u zgjodh në vend të tij


Dimitar Kovaçevski është zgjedhur si paasardhësi i Zoran Zaevit në krye të LSDM-së pas zgjedhjeve rë zhvilluara ditën e djeshme në vendin fqinj.

Kovaçevski ka pasur një epërsi bindëse ndaj rivalëve në garë Frosina Remenski dhe Jovan Despotovski, shkruan Alsat.

Ai mori 37649 vota, duke u ndjekur nga Despotovski me 3319 vota dhe në fund Remenski me 2836 vota.

Lideri i sapozgjedhur i LSDM-së, falënderoi të gjithë ata që votuan në zgjedhje ndërsa theksoi se programet e tyre zgjedhore do të jenë pjesë e strategjisë së re të partisë.

“Shokë, sonte LSDM është fituese. Sonte LSDM mbajti një leksion demokracie. Të gjithë mund të festojmë zgjedhjet e suksesshme, por nga nesër duhet të përveshim mëngët dhe t’i futemi punës.” – tha Kovaçevski.

Kush është kreu i ri i LSDM-së

47-vjeçari i lindur në Kumanovë është Doktor i Shkencave Ekonomike, dhe deri më tani ka qenë zëvendësministër i Financave. Kovaçevski konsiderohej si i preferuari i Zaevit për të marrë këtë rol.

Gjatë karrierës së tij ai ka pasur një sërë postesh duke e nisur në Telekomin e Maqedonisënë vitet 1998-2005 ku ka bërë karrierë kohë pas kohe në pozicione të ndryshme. Në vitin 2017 ai u bë drejtor ekzekutiv i One Vip Maqedoni A1 Maqedoni, pjesë e Telekom Austria Group.

Kovaçevski ka kryer shkollën e mesme në gjimnazin ‘Waterwill Elysian Morristown’ në Minesota, SHBA. Në vitin 1998 është diplomuar në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Fakultetin Ekonomik, Maqedoni dhe po në të njëjtin fakultet ka marrë edhe gradën Master në vitin 2003. Ndërsa në vitin 2008 ka përfunduar studimet e Doktoratës në ekonomi në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Malit të Zi.

Edhe pse është zgjedhur në krye të LSDM-së, Kovaçevski nuk pritet të marrë postin e kryeministrit, pasi Zaev mund të qëndrojë në krye të qeverisë deri në janar teksa po negocion ende për të gjetur një marrëveshje me Bullgarinë, gjë që do i çelte vendit rrugën drejt BE-së.

Pasi Zaev të japë dorëheqjen, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski pritet t’i japë Kovaçevskit një mandat për të formuar një qeveri të re.