Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është arrestuar nga policia pas urdhrit të SPAK. Arrestimi i tij ka të bëjë me çështjen e incineratorëve.
Urdhri për arrestimin e Kokës është firmosur nga prokurori Klodian Braho e është firmosur nga gjykatësi Erion Bani. Ish-ministri akuzohet për “shpërdorim detyre, pastrim parash e korrupsion”.
Dosja në fjalë është depozituar në SPAK nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pak muaj para zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Në kallëzimin e LSI-së thuhet se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie sot deputet i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
“Ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit. Nga një sipërfaqe 6 hektarë pa pagesë në Portëz, ka kaluar në një sipërfaqe 11.3 hektarë, sipërfaqe kjo që duhej të shpronësohej, duke i sjellë dëm ekonomik shtetit shqiptar në vlerën 46 milionë lekë të reja. Vepra penale: ‘Shpërdorim Detyre i ish-Ministrit Lefter Koka dhe Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi.
Tre ditë pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive ofertuese të shërbimit. Pa verifikuar më parë kriteret e kualifikimit dhe pa marrë miratimin nga Ministria e Financave. Vepra Penale: ‘Shpërdorim Detyre’ dhe ‘Shkelje e Barazisë së Pjesëmarrësve në Tendera’.
Nga 20 muaj që parashikohej të ndërtohej impianti(Propozimi i Fituesit), me marrëveshje të firmosur nga Alqi Bllako, është zgjatur afati deri në 31 Mars 2021. Pra, me shumë se 5 vjet, duke bërë që të rrëzohej pretendimi i ngritur nga palët për situatën e emergjencës mjedisore.”– thuhet në padinë e LSI.
Koka u zgjodh deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e fundit si pjesë e listës së PS-së, por hoqi dorë nga mandati.
Ai ka qenë ish-ministër Mjedisi në vitet 2013-2017 e më pas deputet i PS-së në vitet 2017-2021. Po kështu Koka ka drejtuar Bashkinë e Durrësit në vitet 2003-2007./Hashtag.al