Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Nga Janari do t’i mbyllim sportelet, një tranformim rrënjësor


Kryeministri Edi Rama paraditen e kësaj të marte ishte sot në Berat për të prezantuar sistemin e ri të shërbimeve digjitale dhe ligjin për Bashkëqeverisjen.

Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi se nga janari 2022 do të mbyllen të gjitha sportelet që shërbimet e tyre i kanë online.

Ai u shpreh se qytetarët nuk kanë më arsye se pse të rrinë të presin nëpër sportele apo të fusin dorën në xhep për të dhënë ryshfet, që të marrin shërbimet, pasi këto të fundit do t’i marrin përmes telefonit.

 “Dua t’ju bëj me dije që sot janë mbi 1 mijë shërbime që jepen drejtpërdrejt online. Të gjithë qytetarët përmes platformës ‘e-Albania’ kanë mundësi t’i aksesojnë këto shërbime pa dalë fare nga shtëpia.

Edhe po marr një shembull për Kadastrën, që është një nga shërbimet më të kërkuara dhe më të përfolura, sot nuk është e nevojshme të shkohet në sportel, por mund të bëhet aplikimi përmes telefonit ose kompjuterit.

Pastaj, Agjencia e Kadastrës është e detyruar që në afat të lajmërojë për dhënien e dokumentacionit.Aspekti tjetër brenda gjithë këtij sistemi të ri që është gati, është që nuk është më e nevojshme që qytetarët të shkojnë në shumë zyra për të mbushur dosjen me dokumenta që kërkohen për të marrë një shërbim të caktuar.

Kjo do të thotë një transformim rrënjësor të marrëdhënies së qytetarit me shërbimet me dokumentet e shtetit dhe praktikisht do të thotë një mundësi për çdo qytetar që t’i japë fund vetë të gjitha vështirësive të deritanishme dhe që të mos ketë asnjë nevojë të fusë dorën në xhep për të paguar ryshfet, për të lehtësuar rrugën e marrjes së një shërbimi. Në momentin kur ndodh që zyra përkatëse nuk përgjigjet në afat, e para njëherë sistemi i jep mundësi vetë agjencisë dhe platformës e-albania që të konstatojë vonesat por nga ana tjetër çdo qytetar është përsëri në mundësinë që t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes që të kërkojë llogari dhe të marrë menjëherë shërbim.

Duke filluar nga janari ne do fillojmë t’i mbyllim sportelet, pra nuk do të ketë më sportele fizike. Pra, nuk do të shkohet më në sportele, që të mbahet radhë. Ne nuk kemi pse të vazhdojmë të kemi këtë problematikë kaq të madhe mes shtetit e qytetarit e të vazhdojmë të faturojmë një kosto kaq të madhe nervash, kohe, por edhe lekësh, te qytetarët, ndërkohë që shërbimet janë aty.

Një pjesë e madhe e aplikimeve e marrin përgjigjen drejtpërdrejt në telefon, një pjesë tjetër marrin vetëm njoftimin në telefon. Ne duhet ta mbyllim këtë cikël… dhe jo vetëm aplikimi, por edhe marrja e dokumentit, të merret online.

Ne do t’i mbyllim në mënyrë më graduale sportelet e Kadastrës. Na duhet të njoftojmë publikun se duhet t’i kthehet ekranit të telefonit dhe të harrojë sportelin. Nëse nuk merr përgjigjen, ka korsinë e ankimimit online. Me ligjin e ri të bashkëqeverisjes, shteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo ankimimi të qytetarëve.”– tha Rama.