Vendosni fjalën kyçe....

U akuzua nga Basha, përgjigjet Gjylameti: Shihemi në gjyq, kësaj here bëhu burrë e përballu me drejtësinë


Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti, ka reaguar pas akuzave të kreut të PD-së, Basha, i cili gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme tha se bashkëshorti i deputetes kishte sjellë pajisjet që u përdorën në Kuvendin e Berishës.

Gjylameti shkruan se do e hedhë Bashën në gjyq, pavarësisht se e mirëkupton për gjendjen e vështirë psikologjike ku ndodhet.  Po kështu ajo theksonj se shpreson se kësaj here Basha nuk do i shpëtojë drejtësisë si përherë.

“E mirëkuptoj gjendjen e vështirë psikologjike në të cilën ndodhesh në këto momente, por kjo nuk i justifikon në asnjë moment halucinacionet, aq më tepër kur je dhe shpifës recidivist.

Kompania që thua nuk ka asnjë lidhje me mua, e me familjarët e mi e për këtë bashkë do shihemi në gjyq me shpresën që nuk do i shpëtosh drejtësisë si çdo herë me justifikime qesharake.” – shkruan deputetja.

Në fund ajo shkruan se Basha nuk mund të përdorë atë, familjarët e saj apo PS-në për të justifikuar humbjet duke i kërkuar që të përballet me drejtësinë.

“Deklarata ime e para dy javëve me z. Alibeaj i referohet dhunimit, uzurpimit dhe thyerjes të çdo norme dhe ligji në fuqi duke keqpërdorur foltoren e parlamentit si edhe thirrjes së përsëritur për rikthimin në shinat e ligjshmërisë, pasi të kishte zgjidhur hallin e madh që ju kishte zënë për të treguar se kush është kryetari…Sikleti që të ka rënë, nuk do të thotë se duhet të mashtrosh pa teklif e më pak të përfshish në farsën që ke ngritur tërë këto vite për të justifikuar humbjet, familjarët e mi apo Partinë Socialiste…Lider nuk munde të bëhesh, por nëse të ka mbetur edhe pak dinjitet, bëhu burrë dhe përballu me drejtësinë.” – mbyll deklaratën Gjylameti.