Policia e Shtetit ka publikuar informacionin zyrtar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë, ku 29-vjeçari Jurgen Duka u ekzekutua në një market në rrugën “Irfan Tomini”.
Sipas policisë, është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes, i cili është një punonjës policie në Dibër.
I dyshuari me inicialet A.S, banues në Sauk thuhet se nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes.
“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit J. D. (M.), i cili është shtetasi A. S., banues në Sauk, punonjës policie në DVP Dibër.”- thotë Policia e cila e ka shpallur të dyshuarin në kërkim.
Sipas një videoje nga momenti i ngjarjes të publikuar nga televizioni “News 24”, i riu dhe autori ndodhen brenda një marketi në rrugën ‘Irfan Tomini’ në kryeqytet, të shoqëruar nga persona të tjerë.
Pas një debati me fjalë për disa sekonda, Duka e autori, i veshur me një xhup të zi shtyhen me duar e më pas 29-vjeçari e qëllon autorin me grusht.
Pas kësaj ky i fundit nxjerr një armë zjarri nga çanta e dorës dhe e qëllon Dukën që bie përtokë. I riu ka ndërruar jetë në spital.
NJOFTIMI I POLICISË
Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një market, në rrugën “Irfan Tomini”.
Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit J. D. (M).
Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit J. D. (M.), i cili është shtetasi A. S., banues në Sauk, punonjës policie në DVP Dibër.
Po nga veprimet hetimore të kryera dhe deklarimet e marra nga personat që ishin prezent në vendngjarje ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes.
Gjithashtu, grupi hetimor gjatë kontrollit të rrobave të shtetasit J. D. (M.), ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.8 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një DVR me pamjet filmike të ngjarjes.
Vijon puna intensive për kapjen e autorit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor në bashkëpunim me SHÇBA-në vijon punën intensive për dokumentimin e plotë të ngjarjes.