Një 29-vjeçar ka mbetur i vdekur në Tiranë pasi është qëlluar me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën ‘Irfan Tomini’.
Viktima është identifikuar si Jurgen Duka (Mëziri). Fillimisht Duka është dërguar në spitalin e Traumës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Policia ka marrë në pyetje shokun e viktimës, dëshmia e të cilit mund të ndihmojë në identifikimin e kapjen e autorit.
Fillimisht sherri ka nisur pasi viktima e shoku i tij kanë hyrë në një market të zonës, ku kanë debatuar me autorin e më pas ai e ka qëlluar me armë të riun.
29-vjeçari Duka rezulton me precedentë të mëparshëm kriminalë.
Njoftimi
“Me datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në rrugën “Irfan Tomini”, shtetasi J.D. (M)., është konfliktuar me një person ende të paidentifikuar. Personi ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur shtetasi J. D. (M)., rreth 29 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi J. D. (M)., ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës. Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ka sekuestruar prova materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes. Janë marrë në pyetje shoku i shtetasit J. D. (M)., dhe persona të tjerë në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e kapjen e autorit.