Departamenti i Shtetit ka reaguar lidhur me akuzat ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, nga ish- kryeministri Sali Berisha.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price ka folur për “Zërin e Amerikës”, ku i quajtur të pajustifikuara akuzat e Berishës për ambasadoren Kim, se ajo po sillet si guvernatore në Shqipëri apo se mbështet kryeministrin Edi Rama.
“Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar. Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, thekson zëdhënësi Price, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.
Shtetet e Bashkuara, thekson më tej zëdhënësi, vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet tona, përfundon zëdhënësi, i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë.”- e citon “Zëri i Amerikës”, zëdhënësin Ned Price.
Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur prej tij, tha se ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim po sillet si guvernatore.
“Është e trishtuar, e dhimbshme të shohësh ambasadorë të SHBA-ve të sillet si guvernatorë, njëlloj si dikur ambasadori i Bashkimit Sovjetik në Tiranë.”– ishin fjalët e tij.
Të njëjtat akuza Berisha i përsëriti në një prononcim për mediet edhe ditën e djeshme pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit të PD-së. Ai u shpreh megjithatë se e respektonte maksimalisht zonjën Kim si ambasadore, por se refuzonte dhe s’do e pranonte kurrë si guvernatore./ Hashtag.al