Vendosni fjalën kyçe....

Dyshime për dekonspirimin e aksionit të SPAK, dy njerëz të afërt të një ish-ministri i shkuan në zyrë Zotos


Ish-ministri Lefter Koka u arrestua ditën e djeshme me kërkesë të SPAK-ut, lidhur me dosjen e incineratorëve. Ndërsa në kërkim janë shpallur Klodian Zoto e Stela Gugallja të cilët arritën të largohen në kohë.

Kjo ngre dyshime nëse aksioni i SPAK-ut është dekonspiruar më herët. Sipas gazetares Klodiana Lala, dy persona të afërt me një ish-ministër janë parë të shkojnë në zyrën e Zotot e pas kësaj, ai ka mbyllur zyrën e është larguar. Aksioni i prokurorisë speciale për incineratorët kishte disa ditë që qarkullonte në institucione të ndryshme

Duhet thënë se oficerë të Policisë Gjyqësore dhe Forcat Operacionale pranë Policisë së Shtetit ishin caktuar t’i vëzhgonin të dyshuarit Zoto dhe Gugallja në distancë nga frika se mos ata tjetërsonin dokumentet dhe provat dhe do të largoheshin, por askush nuk mund ta shpjegojë se si të dy arritën të zhdukeshin pa lënë asgjë gjurmë, shkruan BW.

Ish-ministri Koka akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre e pastrim parash lidhur me incineratorin e Elbasanit. Ai dyshohet se bashkë me Zoton e Gugalljan kanë përvetësuar rreth 3.5 milionë euro përmes ngritjes së disa shoqërive fiktive. Avokati i Kokës, Fatmir Braka, ka pohuar se klienti i tij do japë deklaratë para gjykatës në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

Klodian Zoto e Stela Gugallja janë shpallur në kërkim e dyshohet se janë jashtë vendit.