Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania dëbon dy diplomatë rusë për vrasjen e një militanti çeçen në Berlin në 2019


Gjermania dëboi dy diplomatë rusë pasi një gjykatë në Berlin shpalli fajtor një shtetas rus për vrasjen e një militanti çeçen më 2019 në Berlin, pas urdhrit të marrë nga Moska.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha më 15 dhjetor se ambasadori rus në Gjermani, Sergei Nechayev është njoftuar për dëbimin e diplomatëve.

Përfshirja ruse në vrasjen e Tornike Kavtarashvili më 2019 ishte “shkelje e rëndë e ligjeve gjermane dhe sovranitetit të Gjermanisë”, tha Baerbock.

Gjykata në Berlin tha se autori i vrasjes së Kavtarashvili ishte 56-vjeçari Vadim Krasikov, i njohur edhe me emrin Vadim Sokolov.

Vraja e Kavtarashvili në Berlin kishte përkeqësuar raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë. Por, gjykata tha se vendimet e saj nuk janë ndikuar nga raportet politike midis Berlinit dhe Moskës.

Krasikov dyshohet se është agjent i shërbimit sekret rus, FSB.

Prokurorët thanë se Moska e kishte urdhëruar vrasjen sepse Kavtarashvili, që njihej edhe si Zelimkhan Khangoshvili, ishte komandant i separatistëve në Kaukazin Verior në periudhën ndërmjet vitit 2000 dhe 2004.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte cilësuar Khangoshvilin si “bandit” dhe terrorist.

Prokurori federal, Nikolaus Forschner gjatë gjykimit argumentoi se nuk ishte e rëndësishme nëse viktima ishte terrorist, pasi ai kishte qenë azilkërkues në Gjermani që prej vitit 2016 dhe sipas prokurorit, Khangoshvili nuk paraqiste rrezik që do të justifikonte vrasjen e tij.

Forschner e akuzoi udhëheqjen ruse për “shpërfillje të sundimit të ligjit” dhe shkelje të sovranitetit të Gjermanisë.

Ambasada ruse në Gjermani tha se vendimi i gjykatës ishte “i motivuar politikisht” dhe ky vendim do të komplikojë edhe më shumë raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë.