Kryetarja LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar pas Kryeministrit Edi Rama i cili e quajti “përgjegjësi individuale” të ish-ministrit Lefter Koka për aferën e incineratorëve.
Kryemadhi ka publikuar një dokument me firmë të Edi Ramës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e lejes së ndërtimit të incineratorit të Elbasanit duke akuzuar kështu direkt Kryeministrin për përfshirjen në këtë aferë.
“Më në fund pas 24 orësh, i erdhi zëri Ramës dhe reagoi duke e quajtur përgjegjësi individuale aferën e inceneratorëve. Mega Afera korruptive e inceneratorëve, nuk mund të jetë vepra e një individi apo institucioni të vetëm, por është skema korruptive më e madhe në historinë e shtetit shqiptar, e realizuar në bashkëpunim mes drejtuesve të shumë institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale. Vlerësimi, kontrata dhe kthim përgjigje i 10 Ministrive brenda ditës, apo miratimi i VKM korruptive për miratim kontrate për një ditë, nuk ndodh as në shtetin më demokratik dhe funksional perëndimor, e jo më në shtetin e 2-të në botë për perceptimin më të lartë të korrupsionit”-shkruan Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së thekson se nuk ka VKM që miraton miliona euro brenda dite pa dritën jeshile të Ramës.
Kryemadhi ka inkurajuar institucionet të zbardhin përgjegjësitë e plota të funksionarëve zyrtarë dhe të subjekteve private.
“Nuk ka VKM që miraton miliona euro brenda dite pa OK e Ramës.
Inkurajoj institucionet të zbardhin përgjegjësitë e plota të gjithë zyrtarëve publikë, subjekteve private dhe individëve pjesëmarrës në këtë aferë dhe përballjen e tyre me forcën e ligjit. Faktet e pakundërshtueshme i kemi dorëzuar në SPAK, mjafton ti lexosh dhe kupton qartë lojën, aktorët dhe rrjedhën logjike të gjithë aferës. Kjo është sprova më e madhe për drejtësisë e re, e cila ka mundësinë të luftojë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës të kupolës së Lartë Qeveritare.
Qytetarët vijojnë paguajnë nga taksat e tyre për korrupsionin Rilindas, ndaj pyetja e vetme është kush do të mbajë përgjegjësi për 430 milionë euro të firmosura nga duart e gjata të Ramës?”-shkruan Kryemadhi.