Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka folur për incidentin që ndodhi gjatë ditës së djeshme në selinë blu, ku Evi Kokalari u sulmua nga dy gra.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Open”, Alibeaj u shpreh se nuk ndihej mirë që iu desh të shihte të tilla situata, ndërsa pranon se dy gratë që e sulmuan Kokalarin ishin militante të PD-së, për të cilat ai shprehet se i përdorin për fushata dhe protesta.
“Nuk ndihem mirë nga të tilla situatë dhe na takon ne pjesa elitare e PD-së që të mos lejojmë që të ndodhin, t’i kishim parandaluar që më 9 shtator në atë mbledhje që patëm, detyra e të gjithëve ne do ishte për ta zvogëluar lëndimin që mos të ndodhte. Mos e shifni katër zonja, keqkuptim ose jo, por e shohim kështu: Marrëdhënia mes pjesës elitare dhe militantëve. Të dyja zonjat i njoh, edhe Dritën edhe Violitën, të tregoj historitë e tyre. Drita ka kaq shumë kohë militante e PD-së, sa herë e thërrasim ne në fushata dhe protesta është e para që vjen. Edhe Violetën e ka nxjerr me pa të drejtë në 2015-ën Veliaj me shkelma. Militantët, ata që ne i përdorim nëpër fushata, u ledhatojmë supet, ndërkohë i krijojmë këtë lloj keqkuptimi të madh. PD është e të gjithëve, ata janë demokratë dhe e kanë shtëpinë e tyre te PD.”- u shpreh Alibeaj.
Ditën e djeshme pati tensione në selinë e PD-së mes mbështetësve të Bashës dhe anëtarëve të Grupit për Rithemelimin e PD-së, Albana Vokshi e Evi Kokalari.
Teksa ato po jepnin një konferencë për shtyp në përfundim të mbledhjes që zhvilluan brenda selisë, mbështetëset e Bashës e quajtën Kokalarin ‘mashtruese’, e në një moment pati edhe shtyrje me duar.