Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO vendos “arrest me burg” për Lefter Kokën


GjKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka liidhur me atë që quhet si afera me inceneratorin e Elbasanit.

Kjo seancë u zhvillua me dyer të mbyllura.

Ish-ministri Koka u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nën masa të rrepa sigurie, dy ditë pas arrestimit nga SPAK.

Në seancën gjyqësore, Koka ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj 3 akuzave që rëndojnë ndaj tij në lidhje me çështjen e abuzimit me inceneratorët. Ai ka deklaruar para togave të zeza se ka zbatuar vetëm ligjin.

“Kam zbatuar ligjin”- është shprehur Koka.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, u arrestua dy ditë më parë lidhur me aferën e inceneratorëve.

Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK thotë se ka provuar që procedura e dhënies se koncesionit dhe lidhja e kontratës për inceneratorin e Elbasanit ka qenë në shkelje të ligjit si dhe në kundërshtim me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

Po ashtu, në kohën që ka qenë ministër Koka thuhet se “ka përfituar shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k”. SPAK ka shpallur në kërkim edhe biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.