Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata vendos sot masën e sigurisë për ish-ministrin Lefter Koka


Paraditen e sotme Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit do të marrë vendimin për të masën e sigurisë që do të caktohetn për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Seanca do të mbahet sot në orën 11:15.

Ditën e djeshme avokati i Kokës, Fatmir Braka, është shprehur se klienti i tij nuk ka dhënë asnjë deponim dhe se do të flasë sot para gjykatës për arrestimin e tij.

Sipas avokatit, ish-ministri do të tregojë gjithçka di për aferën e inceneratorëve në gjykatë.

Që prej ditës së martë, Lefter Koka mbahet në qelitë e paraburgimit, pas aksionit të SPAK-ut për arrestimin e tij dhe të Klodian Zotos e Stela Gugalljas si pronarë të inceneratorëve.

Por këta dy të fundit nuk janë arrestuar ende.

Akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit Koka janë për “shpërdorim detyre, pastrim parash e korrupsion” lidhur me aferën për inceneratorin e Elbasanit.

SPAK thotë se ka provuar që procedura e dhënies se koncesionit dhe lidhja e kontratës për inceneratorin e Elbasanit ka qenë në shkelje të ligjit si dhe në kundërshtim me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

Po ashtu, në kohën që ka qenë ministër Koka thuhet se “ka përfituar shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k”.