Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas raportit të EUROSTAT: Të rishikohet buxheti, jo të investohet tek inceneratorët


Presidenti i vendit Ilir Meta ka komentuar një raport të Eurostatit për vitin 2020, sipas të cilit Shqipëria është e fundit në Europë për të ardhurat për frymë e konsum.

Në një postim në “Facebook”, Meta thotë se vendi ynë mban vendin e parë në rajon për nivelin e lartë të varfërisë, çmimeve dhe borxhit publik. Ai ka kërkuar nga qeveria që të rishikohet Buxheti i Shtetit, për tu ardhur në ndihmë qytetarëve, të shtresave më në nevojë.

“Është koha për të rishikuar Buxhetin e Shtetit në mbështetje të qytetarëve, të shtresave më në nevojë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit, duke investuar në mënyrë konkrete aty ku duhet të jenë përparësitë, jo tek koncensionet, inceneratorët dhe PPP-të.”- shkruan Presidenti.

KOMENTI I METËS

TË PARËT në rajon për nivelin e lartë të VARFËRISË, ÇMIMEVE, dhe BORXHIT PUBLIK.

TË FUNDIT për TË ARDHURAT për frymë dhe KONSUM individual.

Shqipëria renditet e para në rajon për nivelin e varfërisë, të çmimeve dhe borxhit publik dhe e fundit në Europë për të ardhurat për frymë e konsum.

Sipas të dhënave të EUROSTAT për vitin 2020, Shqipëria rezulton se të ardhurat për frymë i ka 30% të mesatares së Bashkimit Europian, pas saj renditet Bosnje dhe Hercegovina me 33%, Maqedonia e Veriut me 38%, Serbia 43% dhe Mali i Zi me 45%.

Për konsumin individual për frymë, që mat mirëqenien familjare, Shqipëria është sërish e fundit në Europë, me 39% të mesatares së BE-së, përkundrejt 42% në Bosnje dhe Hercegovinë, 43% në Maqedoninë e Veriut, 51% për Serbinë dhe 59% për Malin e Zi.

Ndërkohë niveli i çmimeve në Shqipëri, së bashku me Malin e Zi, është më i larti në rajon me 53.5%, Serbia 52.3%, Bosnjë-Hercegovina 51.9% dhe Maqedonia e Veriut me 46%.

Gjithashtu, Shqipëria pas Malit të Zi, renditet ndër vendet me nivelit më të lartë borxhit publik me 77.9%, e ndjekur nga Serbia me 58.9%, Maqedonia e Veriut me 51.3%, Bosnje dhe Hercegovina me 36.7% dhe Kosova me 24.1%.

Sa i përket nivelit të varfërisë, Shqipëri mban vendin e parë me rreth 33% të popullsisë me të ardhura nën 5.5 $ në ditë, duke lënë pas Kosovën me 23.4% e popullsisë, Malin e Zi me 20%; Maqedoninë e Veriut me 18% dhe Serbinë 18.4%.

Në ligjin për “Buxhetin 2022” konstatova se Qeveria nuk ka marrë masat e duhura ekonomike dhe sociale për të përmirësuar të gjithë këto tregues negativë. Për këtë arsye vendosa të mos ta dekretoj me miratim “Buxhetin 2022”, që thellësisht është ANTISOCIAL.

Është koha për të rishikuar Buxhetin e Shtetit në mbështetje të qytetarëve, të shtresave më në nevojë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit, duke investuar në mënyrë konkrete aty ku duhet të jenë përparësitë, jo tek koncensionet, inceneratorët dhe PPP-të.