Vendosni fjalën kyçe....

Produktet farmaceutike, artikujt industrialë dhe elektroshtëpiaket me rritjen më të lartë të shitjeve në krahasim me vitin 2019


Sektori i farmaceutikës shënoi nivelet më të larta të shitjes me pakicë në tremujorin e tretë në krahasim me periudhën e para krizës në raport me sektorët e tjerë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë shitjet me pakicë në tregun e produkteve farmaceutike u rriten me 21 për qind në raport me 3-mujorin e tretë të vitit 2019. Zhvillimet në sektor u ndikuan nga pandemia Covi-19, e cila nxiti konsumin jo të zakontë të një game të gjerë te produkteve farmaceutike që nga vitaminat deri të antibiotikët. Përgjatë dy viteve në vijim që kur nisi pandemia shitjet në industrinë farmaceutike vijuan rritjen. Në krahasim me vitin 2020 rritja e shitjeve në produktet farmaceutike ishte mbi 5%.

Shitjet në grupin e produkteve farmaceutike ishin në rritje edhe para krizës për shkak të rritjes së barrës së sëmundjeve dhe plakjes së popullsisë.

Pas produkteve farmaceutike, me rritjen më të lartë të shitjeve rezultojnë artikujt industriale në njësi të specializuara tregtare, që përfaqësojnë kryesisht materialet të  ndërtimit. Shitjet në këto produkte u rriten me 16% në krahasim me 3-mujorin e tretë 2019, ndërsa në raport me vitin 2020 ato u rriten vetëm me 0.8%.

Grupi i tretë më rritjen më të latë të shitjeve ishin mobilet dhe elektroshtëpiakët. Në  tremujorin e tretë 2021 shitjet në këto artikuj u rritën me 11.2 për qind në krahasim me periudhën e para-krizës dhe me 2.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhe te vitit 2020.

Në raport me parakrizën pati rënie të shitjeve vetëm në produktet kompjuterike me rreth 2 %. Kjo rënie erdhi pas mbingopjes që pati tregu nga shitjet e mëdha gjatë periudhës së karantinës tremujorin e dytë të vitit 2020.

Tregtia me pakicë u ndikua ndjeshëm nga zhvillimet pandemike të cilat riorientuan konsumin në disa artikuj, kryesisht ushqime, produkte farmaceutike. Periudha e karantinës dhe qëndrimi në shtëpi nxiti ndjeshëm rikonstruksionet dhe blerjen e pajisjeve elektroshtëpiake.

Me heqjen e masave kufizuese shitjet u kthyen në normalitet për të gjitha produktet, por për produktet farmaceutike kërkesa mbeti i lartë pasi përhapja e pandemisë vazhdon.

Gjithashtu pandemia po rrit barrën e sëmundjeve në popullatë pasi një pjesë e personave që kanë kaluar infektimin me Covid-19 me simptoma të rënda po vuajnë nga Covid i gjatë dhe gjithnjë do të kenë nevojë për trajtim mjekësor.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al