Kryeministri Edi Rama nuk u paraqit sot në seancën plenare në Kuvend, ku ishte thirrur në një Interpelancë nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Ky i fundit u shpreh i revoltuar, duke mos pranuar që të zhvillojë interpelancën me ministren për Parlamentin Elisa Spiropali, e cila po zëvendësonte kryeministrin.
Sipas tij, mungesa në Interpelancë dëshmon se respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe i lirive të tyre nuk egziston në axhendën e prioriteteve të kryeministrit.
“Depozitova kërkesën për interpelancë më kryeministrin në lidhje me politikat e qeverisë dhe respektimit e minoriteteve. Pse e kërkova me kryeministrin, jo se nuk kam respekt, për ministren Spiropali, por për cilido. Jam njoftuar sot në mëngjes se kryeministri nuk paska denjuar që të diskutojë me këtë çështje dhe e ka deleguar. Është mënyrë cinike, e ka të plotë mundësinë që ta bëj por jo dëshirën. Më datën 9 nëtor e depozitova kërkesën. Qëndrimi i sotëm i kryeministrit Rama dëshmon se për të respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe i lirive të tyre nuk egziston në axhendën e prioriteteve të tij. Por për fatin tonë të mirë egziston për BE-në. Ky debat nuk mund të bëhet i fragmentarizuar, me keqardhje nuk e pronoj interpelancën me Spiropalin. Vendoseni vet zonja kryetare, se kur do të zhvillohet. Është qëndrim abuziv.”– deklaroi Dule.