Gjykata kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë sot në burg 2 zyrtarët e Bashkisë së Lushnjës, nënkryetarin Gentian Nushi si edhe drejtorin e Prokurimeve Publike, Leonard Sefa.
Ata akuzohen për abuzim me tenderin për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj.
Vendimi për masën e sigurisë u mor në seancën e mbajtur sot.
Nënkryetari i bashkisë, Gentian Nushi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa drejtori i Prokurimeve, Leonard Sefa, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Vetëm disa muaj më parë, në korrik u arrestuan kryetari i bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe dhe 10 zyrtarë të tjerë për shpërdorim detyre.