Një vendim qeverie i marrë nga Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar rregullat e lojës për inceneratorin e Tiranës.
Kontrata për këtë incenerator u lidh në gusht të vitit 2017 nga ministri i atëhershëm i Mjedisit, Lefter Koka, i cili u arrestua dy ditë më parë nga SPAK (Kliko këtu për kontratën).
Por me VKM, në Maj të vitit 2018 Autoritet Kontraktor për inceneratorin e Tiranës u bë Ministria e Energjisë e drejtuar nga Damian Gjiknuri.
Ishte njësoj me dy kontratat e tjera të firmosura nga Koka, të cilat po i heton Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por kjo u ndryshua me VKM.
Burime konfidenciale për Hashtag.al, informojnë se iniciativa për këtë VKM është ndërrmarë nga brenda Kryeministrisë dhe dyshohet se është Sekretari i Përgjithshëm Ëngjëll Agaçi protagonisti dhe nxitësi i vendimit.
Gjiknuri nga ana tjetër ka mbështetur iniciativën e Agaçit duke marrë përsipër rolin, por nuk rezulton se Gjiknuri ka nxitur apo kërkuar këtë transferim përgjegjësish.
Aktualisht ky projekt është thjesht landfill për depozitim dhe kapsulim mbetjesh dhe nuk është përfunduar ende impianti.
Disa kompani të lidhura me pronarë të TV kombëtare po e shfrytëzojnë këtë landfill për depozitimin e dherave dhe inerteve që teprojnë nga gropat e ndërtimit të pallateve në Tiranë.
Kostoja e depozitimit të dherave të një pallati është me çmim dysheme 200 mijë euro. Masivet e dheut depozitohen në këtë landfill.
SPAK-u ka patur objekt hetimi vetëm inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, deri më tani nuk rezulton të ketë në shënjestër atë të Tiranës.
Arben Ahmetaj duhet të ketë fërkuar duart, ndërsa LSI denonconte Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, nga ana tjetër Ahmetaj dyshohet se ka motivuar dhe nxitur sulmin ndaj Bllakos dhe Kokës në disa portale opozitare./ Hashtag.al