Vendosni fjalën kyçe....

Zaev i dorëzon Kovaçevskit detyrën e Kryetarit të LSDM-së: Ta mbroni këtë parti dhe vlerat e saj


Pasditen e djeshme kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i dorëzoi detyrën liderit të ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

Siç shkruajnë mediet e Maqedonisë së Veriut, Zaev e ka uruar presidentin e sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski për fitoren në zgjedhjet brendapartiake dhe i ka uruar atij një mandat të suksesshëm.

“President, ju uroj fat, të keni mençurinë, ta mbroni këtë parti më të madhe dhe shtetformuese, të ushqeni socialdemokracinë, të kujdeseni për bashkimin dhe ruajtjen e lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe në parti. Ju uroj një mandat të suksesshëm si kryetar i LSDM-së, për një udhëheqje të urtë që të gjithë do ta ndjekim. LSDM është shtyllë e shtetësisë.”- i tha Zaev Kovaçevskit.

Nga ana e tij, Kovaçevski e falënderoi ish-presidentin Zaev për të gjithë kontributin e dhënë në udhëheqjen e LSDM-së, por edhe në Qeverinë e viteve të fundit, periudhë në të cilën vendi u bë anëtar i NATO-s dhe arriti suksese historike.

“Ju falënderoj edhe për vendimet e mençura që morët për partinë, por edhe për vendin, falë të cilave sot vendi është anëtar i NATO-s dhe jemi në prag të fillimit të negociatave me BE-në. Faleminderit që latë një parti me një trashëgimi që ka potencialin më të madh të stafit. Dëshiroj t’ju uroj shëndet dhe lumturi në jetën tuaj personale dhe profesionale.”- tha Kovaçevski.