Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari rus: Lufta e Tretë Botërore ka filluar


Një konflikt i ri global tashmë po shpërthen në hapësirën kibernetike. Kështu ka deklaruar një zyrtar i lartë rus, i cili thotë se Moska shpreson të punojë me SHBA-në për të reduktuar rreziqet që rrjedhin nga përplasjet dixhitale.

Andrey Krutskikh, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme i ngarkuar me mbikëqyrjen e bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit për sigurinë e informacionit, foli të enjten në një konferencë akademike mbi temën e vendit të Rusisë në botën e sotme politike. Ai pohoi se sulmet kibernetike janë bërë aq të shpeshta dhe të rënda sa që përbëjnë një konflikt të ri botëror, të fshehur nga syri i publikut.

“Një luftë po zhvillohet dhe po zhvillohet shumë intensivisht.”- paralajmëroi ai në fjalimin e tij në Institutin Shtetëror të Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, citon RT. “Përderisa ne veprojmë kështu është e gjitha e fshehur, në fakt, armiqësitë në shkallë të plotë po ndodhin në hapësirën kibernetike. Dhe në përgjithësi, mediat kanë të drejtë të thonë se kjo tashmë është një Luftë e Tretë Botërore. Ne thjesht nuk e dimë shkallën e dëmit, ose kush do të humbasë në fund, ose cili do të jetë konfigurimi i botës si rezultat i luftës.”

Krutskikh theksoi se Kremlini kërkonte të përdorte strukturën e OKB-së për të arritur marrëveshje ndërkombëtare në lidhje me luftën dixhitale. Megjithatë, ai u ankua se SHBA-të dhe vende të tjera kishin ndërhyrë në përpjekjet e Moskës për ta bërë këtë çështje një prioritet.

Në janar, sipas tij do të ketë “një seancë thelbësore të një komisioni të posaçëm të OKB-së për zhvillimin e konventave për luftën kibernetike”.

Kujtojmë se në fillim të këtij viti, presidenti amerikan Joe Biden vendosi sanksione kundër Rusisë, duke pretenduar se Kremlini qëndronte pas hakimit masiv të kompanisë SolarWinds me bazë në Teksas, e cila komprometoi sistemet e më shumë se 100 firmave tregtare në mbarë botën, si dhe nëntë agjencive qeveritare amerikane. Moska e mohoi akuzën, duke thënë: “Është koha për të vendosur gjërat në rregull në tokën amerikane, nga ku shfaqen sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës kritike në Rusi”.

Në mars, firma amerikane e sigurisë kibernetike FireEye paralajmëroi se amerikanët do të përballeshin me sulme kibernetike gjithnjë e më të këqija në të ardhmen.