Vendosni fjalën kyçe....

Boiken Abazi ngre dy pyetje për protestën e thirrur nga Berisha kundër Vuçiçit dhe “Open Balkan”



Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi ka ngritur disa pyetje në lidhje me protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër Vuçiç dhe “Open Balkan”.

Në një postim në Facebook, Abazi pyet Berishën nëse është i gatshëm ai të pranojë se e ka patur gabim në shtatorin e vitit të kaluar kur njëlloj si Presidenti amerikan Donald Trump dhe diplomati Richard Grenell, edhe ai e ka mbështetur nismën “Open Balkan”.

“Dy pyetje në lidhje me protestën e thirrur nga Sali Berisha kundër Vuçiç dhe ‘Open Balkan’:

Më 6 shtator 2020 Sali Berisha ka deklaruar se e ka kuptuar si lëshim të Kosovës pranimin e minishengenit (Open Balkan) në marrëveshjen e Washingtonit, por tha se kjo është normale, kur kërkesa vjen nga aleati më i madh i shqiptarëve. Berisha ka dhënë mbështetjen e tij për atë pseudo-marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe kombin shqiptar me pretendimin se kur aleati ynë kryesor, ShBA, e mbështet, atëherë duhet ta mbështesë edhe Kosova. Kujtojmë gjithashtu se Soros edhe në atë kohë e mbështeste ‘Open Balkan’ dhe punoi prej fillimit për realizimin e kësaj nisme, por kjo nuk e pengoi Berishën ta jepte edhe ai mbështetjen e tij. Sakaq, edhe kjo administratë e ShBA-së po e mbështet ‘Open Balkan’ siç bëri administrata e kaluar.

Tani që ka thirrur protestë kundër Vuçiç dhe ‘Open Balkan’, a është i gatshëm Sali Berisha të pranojë se e ka patur gabim në shtatorin e vitit të kaluar Presidenti Trump, Richard Grenell dhe vet Berisha që e kanë mbështetur ‘Open Balkan / Mini Shengenin ballkanik’? – pyet Abazi.

Por kjo nuk është e vetmja pyetje që Abazi ka për Berishën. Një nga mbështetëset e tij kryesore aktivistja Evi Kokalari është gjithashtu mbështetëse e nismës ‘Open Balkan’. Duke iu referuar kësaj, Abazi pyet nëse edhe Kokalari do të dalë në protestë.

“Evi Kokalari, mbështetëse e zjarrtë e ‘Ballkanit të Hapur / Mini Shengenit’ dhe anëtare e ‘Komisionit të Rithemelimit’ të PD-së, a do shkojë të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Sali Berisha kundër ‘Open Balkan’? A do dalë edhe ajo kundër pseudo-marrëveshjes se Washingtonit të shtatorit të vitit të kaluar që detyronte Kosovën të pranonte ‘Open Balkan’?”- pyet përsëri Abazi.

Këto pyetje të ish-kreut të Vetëvendosjes në Tiranë, vijnë pasi Berisha ka paralajmëruar organizimin e protestave të mëdha kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiç në kryeqytetin shqiptar.