Facebook, i riemërtuar së fundmi si Meta, është konsideruar si “kompania më e keqe” në botë e vitit 2021.
Sipas një sondazhi të realizuar nga “Yahoo Finance” më 4 dhjetor, ku morën pjesë më shumë se 1 mijë e 500 të anketuar, Facebook i mundi të gjitha alternativat e tjera.
Siç shkruan RT, kompania mori 50% më shumë vota si kompania më e keqe e vitit sesa gjiganti kinez i tregtisë elektronike Alibaba, i renditur në vend të dytë.
Disa të anketuar u ankuan për censurën e Facebook-ut, ndërsa të tjerë kritikuan platformën për dështimin në trajtimin e dezinformatave, veçanërisht në lidhje me pandeminë Covid-19. Disa madje e kritikuan Facebook-un për “minimin e demokracisë në mbarë botën” dhe kontributin në rritjen e ekstremizmit të ekstremit të djathtë.
Shumë fajësuan aplikacionin e kompanisë për ndarjen e fotove, “Instagram”-in, për efektet që ka në shëndetin mendor të të rinjve.
Në një notë pozitive, gati 30% e të anketuarve thanë se Facebook ose Meta siç quhet tani, ende mund të shpëtojë veten. Ndër mënyrat që njerëzit sugjeruan ishin: “pranimi dhe kërkimi i faljes për atë që bëri” dhe dhurimi i një “sasie të konsiderueshme” të fitimeve për një fondacion për të ndihmuar të miturit pas dëmit të shkaktuar. Disa e panë riemërimin e Meta-s si një hap premtues drejt bërjes së Facebook-ut më ‘interesant’ dhe të ndryshëm.
Gjithashtu, investitorët që morën pjesë në sondazh thanë se Facebook mund të tërheqë më pak zemërim dhe më shumë angazhim publik nëse mund të rriste çmimin e aksioneve. Aktualisht çmimi i aksioneve është rritur me 22% nga viti i kaluar, por ende ka rënë rreth 13% nga niveli i lartë në shtator.