Vendosni fjalën kyçe....

Lindja e një organizate terroriste anti-amerikane në Shqipëri


Nga Mero Baze

Për herë të parë në Shqipëri dhjetëra mbështetës të Sali Berishës do të dalin në një “referendum” për të sfiduar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë futur në listën e zezë Sali Berishën dhe familjarët e tij. Referendumi është akti i fundit i një procesi i cili nisi më 9 shtator të këtij viti, kur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, vendosi të zgjedhë mes SHBA dhe Sali Berishës.

Këtë akt Sali Berisha e bëri kauzë të betejës së tij kundër SHBA.

Ashtu si organizatat terroriste i presin kokën çdo tradhtari që dyshojnë se është i lidhur me SHBA, ashtu dhe Sali Berisha pas 9 shtatorit nisi një betejë kundër Lulzim Bashës vetëm me këtë motiv. Ai e bazoi betejën e tij tek fakti që Lulzim Basha mes tij dhe SHBA, zgjodhi SHBA, si interes të Partisë Demokratike.

Beteja e Sali Berishës nuk nisi më 19 maj kur SHBA e shpalli në listë të zezë. Nuk nisi as në Kuvendin e PD në korrik, kur kandidatët duhet të shpreheshin mbi të ardhmen e PD pa Sali Berishën. Nisi pikërisht kur njeriu i parë brenda PD guxoi të thoshte “Ne duhet të jemi me SHBA”.

Pra kjo betejë është jo vetëm thellësisht anti-amerikane, por është dhe terroriste. Është terroriste, pasi në themel të kësaj beteje qëndron urrejtja dhe linçimi i një njeriu që zgjodhi SHBA dhe jo Sali Berishën. Është betejë për të bërë shembull “një tradhtar” që lë në baltë Sali Berishën përballë SHBA.

Dhe kjo është simbolika e gjithë betejës së Sali Berishës dhe morali i saj. Ajo synon të ngulisë thellë në kujtesën e mbështetësve të tij fanatikë, që askush të mos guxojë ta tradhëtojë atë në betejën e tij me SHBA.

Të gjithë të tjerat janë gënjeshtra dhe alibi pa vlerë.

Sali Berisha i ka dalë zot kësaj beteje, duke shpallur se do të jetë ai kryetari i ri i organzitës terroriste që po lind ditën e shtunë. Ata më hilqarët dhe që nuk gjejnë dot arsye llogjike në publik pse po bëhen anëtarë të kësaj organizate terroriste “revolucionare”, siç kanë qejf ta quajnë, të thonë si ngushëllim se po e përdorin Berishën për të shëptuar nga Luzlim Basha, pastaj mund të zgjedhin një lider të ri. D.m.th. mes të tjerash janë dhe hipokritë, pasi pranojnë që Sali Berisha është një kartë e djegur.

Kjo është një gënjeshtër edhe më e madhe dhe një gjë edhe më e rëndë.

E keqja më e vogël është që në krye të kësja organizate terroriste, të jetë Sali Berisha, pasi ai ka kundër dhe moshën fizike, dhe dënimin e qartë të SHBA, dhe ndëshkimin që mund të marrë nga drejtësia shqiptare. Ideja që kjo organizatë terroriste të ketë dhe pasardhës të Sali Berishës besnikë të tij, që mes SHBA dhe Berishës të jetë gjithnjë me Berishën, është dhë më ogurzezë.

Linçimi i Lulzim Bashës ka pikërisht këtë qëllim, që të mos guxojë më njeri që mes Sali Berishës e SHBA, të zgjedhë SHBA. Prandaj çdo justifikim i atyre që të shtunën më 18 dhjetor, do marrin pjesë në këtë farsë të ndyrë antishqiptare, kundër vendit që është aleati më i madh i shqiptarëve në botë dhe garancia e mbijetesës së tyre kombëtare, është i papranueshëm.

Partia Demokratike për fat po ndahet kjo celulë terroriste anti-amerikane. Ajo ka të shtunën Kuvendin e saj normal dhe do të vazhdojë rrugën e vet, e pastruar nga berishizmi.

Por celula terroriste që synon të institucionalizohet nesër si organizatë, nëpër kafene lagjesh dhe shtëpia private në gjithë Shqipërinë, do të hyjë në historinë e këtij vendi, si një njollë e zezë e përpjekjeve për të krijuar një institucion politik anti-amerikan në Shqipëri, pasi e shikojnë praninë e SHBA në Shqipëri, si pasiguri për të inkriminuarit, vrasësit e demokracisë, të drejtësisë dhe ligjit në këtë vend.

Shumë prej tyre në ditët, javët, muajt dhe vitet në vazhdim, do të kërkojnë ndjesë për atë që po bëjnë dhe do të kenë gjithnjë si arsyetim se na gënjeu Sali Berisha.

Natyrisht nuk do t’u bëjë njeri gjyq, dhe as do merret kush me ta, por historia do t’i përdorë gjithnjë si ilustrim, se si një pakicë në këtë vend, ju nënshtrua hallit të një njeriu, i cili vendos si standart të besnikërisë ndaj tij, që të japin prova se mund të sfidojnë SHBA për atë, që nënkupton ose me Berishën, ose me Shqipërinë.

Nuk e shpëtojnë dot Sali Berishën, as nga SHBA, as nga drejtësia dhe as nga vendi i turpit që i ka rezervuar historia. Por PD po e shpëtojnë duke u larguar prej saj dhe Shqipërinë po e bëjnë më të qartë për mbetjet toksike që ka brenda saj.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazeta Tema