Komisioni për Rithemelimin e PD-së do mbajë nesër një referendum për të vulosur shkarkimin e kreut të partisë Basha, pas votimit në Kuvendin e thirrur nga Berisha më 11 dhjetor.
Votimi do nisë në orën 8 të mëngjesit e do vijojë deri në orën 5 të pasdites. Po ditën e nesërme do mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, i lajmëruar nga Basha javë më parë. Ndërsa në pjesë zyrash të PD-së kanë kyçur dyert, votimi në referendumin për shkarkimin e Bashës do bëhet në mjedise të marra me qira.
Komisioni i Rithemelimit ka ngritur edhe Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që do të merret me drejtimin e procesit, ku kryetare do të jetë Albana Vokshi.
Ku do votohet
Në Gjirokastër janë rreth 1100 anëtarë demokratë me të drejtë vote. Janë gjithsej 4 qendra votimi që do të jenë në Pallatin e Sportit, nlë lokal në Lazaratit, një lokal në Libohovë dhe tek ish-zyra elektorale e PD-së në Urën e Kardhiqit.
Në Korçë ka 9 qendra votimi, 2 prej tyre janë në ish-kinematë e qytetit dhe një në qendrën kulturore të fëmijëve.
Në Durrës, 2700 anëtarët e PD-së do votojnë në Pallatin e Kulturës. Në Krujë pritet të votohet në dy qendra votimi në mjedise të marra me qira, një në Thumanë e një në Krujë. Në Fushë Krujë votimi do bëhet te qendra shëndetësore.
Në Berat anëtarët e PD-së do votojnë në Pallatin e Kulturës.
Në Shkodër votimi do bëhet në 9 qendra, 2 në qytet e 7 në njesitë administrative.
Në Vlorë do ketë 3 qendra votimit, një pranë selisë së PD-së, një Selenicë e një në Himarë.
Në Kukës votimi për referendumin do bëhet në sallën e Pallatit të Kulturës.