Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja në sheshxhirim, gjykata urdhëron hetimin e telefonit të Alec Baldwin


Policia që po heton të shtënat që i morën jetën kineastes Halyna Hutchins në xhirimet e filmit “Rust”, ka marrë një urdhër kërkimi për telefonin e aktorit Alec Baldwin.

Hutchins vdiq dhe regjisori Joel Souza u plagos në tetor, kur Baldwin po bënte prova me një armë e cila supozohej të mos ishte e mbushur.

Aktori 63 vjeçar, ka këmbëngulur megjithatë se ai “nuk e tërhoqi këmbëzën”, shkruan BBC.

Urdhri për kërkimin e telefonit të tij u lëshua nga një gjykatë Sante Fe në New Mexico, shteti ku filmi “Rust” po xhirohej.

Sipas gjykatës, “mund të ketë prova në telefon” që mund të jenë “materiale dhe të rëndësishme për këtë hetim”.

Hetuesit donin të shikonin mesazhet me tekst, emailet, historinë e shfletuesit të internetit dhe informacione të tjera të ruajtura në telefon.

Kjo vjen vetëm dy javë pasi aktori dha intervistën e tij të parë televizive në lidhje me incidentin, në të cilën ai tha se nuk e tërhoqi këmbëzën, por plumbi gjithsesi doli.

Aktori është shprehur se po bashkëpunon plotësisht me hetimin e policisë për të shtënat.