Vendosni fjalën kyçe....

Basha: PD-ja u pastrua nga hijet e së shkuarës


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë në konferencën për shtyp deklaroi se PD-ja ditën e sotme është pastruar nga hijet e së shkuarës.

Basha fillimisht falënderoi delegatët e pranishëm në Kuvendin e ditës së sotme.

Sot Partia Demokratike është pastruar nga hiret e të shkuarës, është më pranë qytetarëve dhe problemeve të tyre. Për këtë arsye kemi jetësuar në statutin tonë dhe jemi e para parti politike në Shqipëri dhe në dijeninë time në Ballkan që jetësojmë aleancën me qytetarët për rikthimin e demokracisë tashmë si një organ, si një institucion të Partisë Demokratike, me qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza shumëplanëshe. Me qëllim për të kthyer normalitetin në vend. Dhe për të kryer përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, jo  vetëm largimin e klikës, regjimit që rri në pushtet, me vota të vjedhura për të vazhduar të varfërojë Shqipërinë dhe shqiptarët, por për të mundësuar pikërisht Reformat e thella, që do t’i japin fund armikut të mirëqenies, armikut të sigurisë së shqiptarëve dhe familjeve të tyre që është korrupsioni dhe lidhja e politikës me krimin. Ky është fokusi ynë, ka qenë fokusi ynë në të gjitha betejat që kemi nisur që nga dekriminalizimi. Është fokusi ynë me betejën që kemi nisur në parlament me Vettingun e Politikanëve, është vendosmëria jonë, e shpallur përmes vendimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve me hapin e parë, luftën totale deri në fitore kundër korrupsionit qeveritar dhe kthimin e Shqipërisë në shinat e normalitetit”, tha Basha.