Vendosni fjalën kyçe....

Basha për Berishën: Pas shpalljes së tij “non grata” u përballëm me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, do i nxjerrim jashtë radhëve të PD-së ata që sfidojnë SHBA-të


Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur për ish-kryeministrin Sali Berisha, për të cilin thotë se u detyrua të merrte vendimin për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar për të mbrojtur PD-në.

Basha thotë se pas shpalljes së Berishës “non grata”, demokratët janë përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë.

“Përballë historisë tonë, të partisë që ribashkoi Shqipërinë me Perëndimin, që ka shënuar arritjet më të mëdha në raport me aspiratat tona kombëtare, në procese ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë jetike, në një marrëdhënie vlerash të sanksionuar në kushtetutën e partisë tonë, shtegu, ndonëse i vetëm dhe i ngushtë, ishte i qartë.  

Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë!

Dhe atë ditë ku mora atë vendim, nisi një marshim i ngadaltë dhe i pashmangshëm drejt kuvendit ku jemi mbledhur sot.

Midis 9 shtatorit dhe 18 dhjetorit rreth partisë sonë kanë ndodhur ngjarje, akte dhe procese të pashembullta, të pa ngjara me parë, që i japin këtij kuvendi statusin e një date të dytë historike pas themelimit të Partisë Demokratike si partia e shpresës së shqiptarëve, si partia Euro-Atlantike, si partia e rilidhjes së Shqipërisë me perëndimin pas 45 vitesh të perdes së hekurt të komunizmit barbar shqiptar.

Kjo datë e dytë, po aq e rëndësishme, ky akt i dytë, ky kuvend, është dhe duhet të jetë kuvend i afirmimit të proamerikanizmit dhe pro euro-atlantizmit pas një periudhe keqkuptimesh, konfliktesh, paqartësish, kundërveniesh apo problemesh me aleatin tonë strategjik, të cilat kulmuan me pezullimin nga grupi parlamentar i ish-Kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Pas shpalljes së tij non grata për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë.

Jemi përballur me një fushatë në kufinjtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh për ta detyrur PD të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës. 

Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, e cila kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës.

Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 prillit, në interes të një personi, dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike.

Por unë nuk mund ta pranoja këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren.

Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një non grata në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në non grata, për ta hir të fatit personal të një personi kushdo qoftë ai.

Prandaj çfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon. Dhe ne sot zgjedhim të na ndryshojë për mirë.”- u shpreh Basha.

Më tej gjatë fjalës së tij, Basha shorehet se Partia Demokratike nuk do të pranojë në radhët e saj elementë të krimit, apo njerëz që duan të sfidojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nënkuptuar këtu ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Kjo nuk është një histori e re e PD, por një avancim i historisë sonë. Ne jemi partia që kemi propozuar dekriminalizimin e politikës dhe së fundi vettingun për politikanët. Ne kemi përpara një sfidë të re, të bindim shqiptarët që jemi partia që i bën këto gjëra, jo vetëm i thotë, dhe i bën duke nisur nga vetja. Duke lënë jashtë radhëve tona ata që duan të sfidojnë SHBA për interesat e tyre personale.”- tha Basha..