Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari i kësaj force politike Lulzim Basha ka treguar se si do të jetë sipas tij Shqipëria me atë kryeministër.
Basha thotë se me atë në krye askush nuk do t’i pengojë shqiptarët që të bëjnë ëndrrat e tyre realitet.
“Kryeministri i ardhshëm i këtij vendi nuk do jetë pronar i ideve tuaja, nuk do të jetë licensues i ideve tuaja por vetëm garantues i tyre për të mirën e vendit.
Askush nuk do të pengohet të zhvillojë këtë vend me kontributin e tij apo të saj, të vogël apo të mëdha,
Askush, askush nuk do t’ju ndalë të bëni ëndrrat tuaja realitet vetëm përse nuk e njihni apo nuk keni numrin e celularit të kryeministrit. Askush nuk do t’ju pengojë të zhvilloni ekonominë tuaj, dyqanin tuaj, biznesin tuaj, kompaninë tuaj, investimin tuaj pa e njohur Lulzim Bashës. Kjo është garancia më e madhe që Shqipërinë do ta bëjmë bashkë. Unë do jem aty për t’ju garantuar se askush nuk do ta prekë ëndrrën tuaj.”- deklaroi Basha.
Mes të tjerash Basha tha se demokratët kanë një sfidë të re përpara për të lënë jashtë radhëve të partisë, ata që dalin kundër SHBA-ve.
“Kemi përpara një sfidë të re, duhet të bindim shqiptarët se ne jemi partia që i bën këto gjëra dhe jo vetëm i thotë. Dhe i bën duke u nisur nga vetja, duke lënë jashtë rradhëve tona ata që dalin kundër SHBA-ve për interesa personale.”– thotë kryedemokrati.