Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, deputeti Agron Gjekmarkaj thotë se PD duhet të bëjë ndarjen nga ajo që e quan “Berishizmi” si shoqëria nga enverizmi.
“Duke kaluar përmes sfidash e trazimesh, mes goditjeve e sulmeve, ja ku jemi sot, ja ku jemi në PDSH, të shumtë e të vendosur për ta mbajtur partinë e lirive properëndimore, pro amerikane, proevropiane, në shërbime të aspiratave të kombit shqiptar. Ne nuk jemi këtu për festë, por për të ndarë e zgjidhur një krizë që na ka përfshirë. Ajo që na shfaqet një luftë mes dy personazh, është një luftë për modele dy partish. PD është partia e të gjithëve dhe si e tillë nuk mund të lejojë që kriza e një personaliteti politik si Sali Berisha që ka dominuar fatin e tranzicionit të përcaktojë fatin e PD për sot nesër e gjithmonë.
Raportet e tij personale me SHBA-të janë vetëm një shkëndijë që bëri të shpërthenin gjithë problemet e akumuluara për 30 vite. Përgjegjës mund të jetë shumëkush, por askush më shumë se Berisha s’mmund të jetë më përgjegjës. Ai s’mund të jetë shërues i plagëve që ka shkaktuar vetë.
Do doja që ky Kuvend të analizojë vetveten. PD sot ka nevojë të bëjë një akt të madh historik. Ajo po pranon krizën e saj të identitetit, duhet të bindet se identiteti i saj s’mund të jetë identiteti i liderit. Ajo duhet të ndahet nga berishizmi siç u nda shoqëria nga enverizmi. Çdo ndarje ka përmasën e saj të trishtimit por edhe të fillimit të ri.
Berishizmi sot është enverizmi i demokracisë. Me këtë nuk dua të them se ai është burimi i të gjitha të këqijave, nuk dua t’i mohoj asnjë meritë Sali Berishës për betejat që ai ka bërë, cilësitë që ai ka shfaqur e arritjet që ka bërë, duke mos e mohuar respektin, jam i shtrënguar të them sot se po sulmon trashëgiminë e tij më të mirë, madje ]po shkon aq larg sa kushtëzojë jetëgjatësinë opozitariste të PD-së. Sali Berishës i shkonte për shtat pritja, duhet ta bënte për mijëra demokratë që e kanë ndjekur për vite, që e kanë mbështetur në ditë të vështira, që e kanë bërë kryeministër dhe president. Mbi supet e tij mund të rrinte dhe një akt kaq tronditës sa shpallja non grata. Ai ndezi luftën me SHBA duke provokuar. Ai nuk la mundësi që ne të mallëngjeheshim dhe të prekeshim nga nostalgjia. Ai na ndau, siç bëri si gjithmonë duke na vënë epitete. Berishizmi nuk ka sulmuar dekomustizimin në vend.”- deklaroi Gjekmarkaj.