Njëlloj si në Kuvendin e 11 dhjetorit, edhe sot Fatbardh Kadilli duket se është një nga zërat e vetëm kundër.
Në fjalën e tij në Kuvendin e PD-së të thirrur nga Lulzim Basha, Kadilli iu drejtua kryedemokratit duke i kërkuar atij dorëheqjen.
Ai e kritikoi Bashën duke thënë se 26 prilli ishte data e vërtetë e krizës, kur ai nuk dha dorëheqjen pavarësisht humbjes në zgjedhjet parlamentare.
“Të dashur delegatë do të kërkoja të imagjinonim për një moment një vend në botë ku ka votime që një parti që humbet katër herë rresht, imagjino që partia ka dështuar në shumë aksione politike, imagjinoni partinë që nuk bën asnjë analizë për humbjet por vetëm fajëson kundërshtarin politike, imagjinoni që udhëheqësi nuk jep dorëheqjen por vazhdon njësoj si më parë.
Çfarë do të mendonit për atë parti? Imagjino sikur përsëri befas plas një konflikt i brendshëm dhe udhëheqësit të saj i kërkohet dorëheqja, ndërsa ai përgjigjet përjashtime. Ju në këtë sallë keni një tregim krejt tjetër. Por është një tregim që mbushet me iluzione dhe me gënjeshtra.
I keni harruar të gjitha ditët dhe datat kur konflikti ishte brenda. Lëvizja e Sali Berishës ndezi vetëm fitilin. 26 prilli ishte data e vërtetë e krizës, kur Basha nuk dha dorëheqjen. Më 26 prill PD vendosi të jetë një parti e vogël që udhëhiqet nga një njëri që nuk e njeh fitoren. PD ka më shumë se kushdo në historinë e saj për një ndryshim të thellë.
Prandaj Sali Berisha po i shet demokratëve iluzionin e ndryshimit për të bërë atë që ata vetë dëshirojnë. Nga arroganca juaj sot shumë demokratë janë të dëshpëruar sa të arrijnë të mendojnë Sali Berishën për të ardhmen.”- u shpreh Kadilli.
Fjalimi i Fatbardh Kadillit është kundërshtuar nga mbështetësit e Bashës në sallë. Por ka qenë Gazment Bardhi që ka ndërhyrë, duke i kërkuar atyre që të pushojnë dhe të lejojnë Kadillin të mbarojë fjalën.
Kadilli u shoreh se PD gjendet në prag të ndarjes, por se ky skenar do të shmanget vetëm me largimin e Bashës nga drejtimi i partisë dhe moskandidimi i Berishës.
“Ju mund të mendoni se bëtë historinë sot këtu. Por realiteti është se PD gjendet në prag të ndarjes përfundimtare të saj në dy parti.
Ka një realitet këtu, por ka edhe një realitet në datën 11, kush e mohon këtë do të thotë se ka vënë perde syve.
Ka vetëm një mundësi që ky skenar të shmanget, dorëheqja e Lulzim Bashës dhe moskandidimi i Sali Berishës. Ju nuk do të vini kurrë në pushtet sepse jeni konsumuar dhe keni humbur besimin e njerëzve.
PD-në nuk mund ta sjellë në pushtet as Basha dhe as Berisha, mund ta sjellë në pushtet vetëm një ekip i pastër, i ri dhe i aftë. Një ekip që ka ide të reja dhe një vizion të ri. Ky ndryshim mund të vijë vetëm nëse ne garantojmë largimin e kryetarit humbës të partisë, votën e anëtarësisë për të gjithë vendimet e rëndësishme duke përfshirë zgjedhjen e kandidatëve, krijimin e një administrate profesionale të paanshme që administron partinë. Unë i provozova këto ndryshime që me 26 Prill, por ju i injoruat.”– u shpreh Kadilli.