Vendosni fjalën kyçe....

Kanadaja do paguajë 31 miliardë dollarë për fëmijët indigjenë që u diskriminuan gjatë ‘gjenocidit kulturor’


Qeveria e Kanadasë ka vendosur të shpenzojë 31 miliardë dollarë për të kompensuar fëmijët indigjenë që kanë pësuar diskriminim e për të mbuluar kostot e një reforme afatgjatë të sistemit të saj të mirëqenies së titulluar ‘Kombet e Para’.

“Padrejtësitë historike kërkojnë dëmshpërblime historike”, tha në një deklaratë Ministrja e Shërbimeve Indigjene Patty Hajdu.

Midis viteve 1874 dhe 1996, të paktën 150,000 fëmijë indigjenë u morën nga familjet e tyre dhe u dërguan në shkolla rezidenciale të financuara nga shteti, ku shumë prej tyre vuanin nga kequshqyerja dhe iu nënshtruan formave të ndryshme të abuzimit.

Ky sistem është përmendur shpesh si një ‘gjenocid kulturor’ për shkak të përpjekjeve të tij për të asimiluar fëmijët duke i zhveshur ata nga identiteti i tyre kulturor. Trajtimi i qeverisë ndaj fëmijëve indigjenë u kritikua gjerësisht pasi më shumë se 1100 varre u zbuluan në vendet e ish-shkollave rezidenciale.

Duke nënvizuar se ‘asnjë shumë parash nuk mund të kthejë dëmin e përjetuar nga fëmijët e Kombeve të Para ose të kthejë vitet e humbura nga ndarja nga familjet, komunitetet dhe kultura e tyre’, Hajdu njoftoi se qeveria e vendit do të ofronte 40 miliardë dollarë kanadezë për të ofruar kompensim dhe për të mbuluar kostot e reformës afatgjatë ‘në mënyrë që brezat e ardhshëm të fëmijëve të Kombeve të Para të mos përballen kurrë me të njëjtat tragjedi sistemike’.

Kjo vjen pas vendimit të vitit 2016 nga Gjykata Kanadeze për të Drejtat e Njeriut sipas të cilit niveli i financimit shtetëror për shërbimet e fëmijëve dhe familjes për indigjenët ka qenë më i ulët se ai për grupet e tjera, dhe për këtë arsye më shumë fëmijë indigjenë përfunduan në kujdestari. Në vitin 2019, gjykata urdhëroi qeverinë federale të paguante 40,000 dollarë kanadezë për çdo fëmijë të prekur.