Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi i PD-së-Nga fjalimet me kritika e autokritika dhe vendimet e marra deri te përjashtimi i Berishës


Ditën e sotme zhvilloi punimet Kuvendi i Partisë Demokratike i thirrur nga Kryesia e partisë i cili erdhi shkak pasojë e lëvizjes së Sali Berishës dhe Kuvendit të zhvilluar nga ai një javë më parë më 11 dhjetor.

Në Kuvendin e sotëm u morën disa vendime që kryesisht kanë të bëjnë me largimin e Berishës nga PD-ja.

5004 delegatë u raportuan se morën pjesë në këtë Kuvend nga Komisioni i ngritur ku kryetar u zgjodh Jemin Gjana.

Me shumicë të votave Kuvendi miratoi vendimet e marra që vënë SHBA-të si vijën e kuqe në parti dhe kërkojnë dekomunistizimin e saj.

Ndërsa fjalimet nga pjesëmarrësit u karakterizuan nga kritika ndaj Berishës dhe lëvizjes së tij apo edhe autokritika e premtime për drejtimin partisë.

Vendimet e marra

Në kuvendin e sotëm u morën edhe dy vendime të cilat fokusin kryesor e kanë te përjashtimi i Sali Berishës nga partia duke vendosur edhe në statut një pikë që i ndalon mbajtjen e funksioneve drejtuese çdo personi që shpallet non grata nga SHBA-të.

1-Shpallja non grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

2-Të mbështesë fuqimisht iniciativën për dekomunistizimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike dhe partitë politike.

3-Kuvendi ngarkon organet e Partisë Demokratike për zbatimin e këtij vendimi.

SHBA-të vija e kuqe në PD-në e re të Bashës

Kreu i PD-së në fjalimin e tij të Kuvendit të sotëm vuri SHBA-të si vijën e kuqe në parti. Ai theksoi se kush shpallet non grata nuk do ketë punë në PD.

“Kjo nuk është një histori e re e PD, por një avancim i historisë sonë. Ne jemi partia që kemi propozuar dekriminalizimin e politikës dhe së fundi vettingun për politikanët. Ne kemi përpara një sfidë të re, të bindim shqiptarët që jemi partia që i bën këto gjëra, jo vetëm i thotë, dhe i bën duke nisur nga vetja. Duke lënë jashtë radhëve tona ata që duan të sfidojnë SHBA për interesat e tyre personale”.

Mea Culpa e Bashës

Gjatë fjalimit të tij, Lulzim Basha ka pranuar se në 8 vite pozicioni i tij në krye të Partisë Demokratike ka qënë ‘në mëdyshje’ për shkak të dualizmit dhe protagonizmit të Sali Berishës.

Për këtë ai kërkoi falje para demokratëve, duke thënë se nuk duhej ta kishte lejuar këtë.

Basha shprehet se mendësia komuniste nuk mund t’i shoqërojë më demokratët.

“Por mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetren drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë.

Ndaj edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së.  Dualizmit në përceptim dhe dualizmit real, kur ish kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e  kryetarit me protagonizmin  e tij.  Faktet janë me qinda mijëra. Kushdo i ka parë. Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë.

Është përgjegjësia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur ketë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike. Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre.  Njohja e gabimeve është premisa e korigjimit të tyre. Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja.  Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen e një prej nyjeve të krizës për të  cilën po flasim. Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar.”- tha Basha.

Fatbardh Kadilli kërkon largimin e Berishës dhe Bashës

Për Fatbardh Kadillin ka vetëm një mundësi që skenari për ndarjen e PD-së të shmanget. Ai tha se shmangia arrihet vetëm nga dorëheqja e Bashës dhe ndalimi i kandidimit të Sali Berishës.

Të dashur delegatë ju mund të jeni të pavetëdijshëm, të painteresuar, të ekzaltuar dhe të besoni se bëtë sot historinë. Por realiteti është se PD gjendet në prag të ndarjes përfundimtare të saj në dy parti. Ka një realitet këtu, po ka dhe një realitet që e pamë më datë 11. Kush e mohon këtë do të thotë i ka vënë në perde syve. Çfarë do të sjellë dhe fundin e saj nëse ne vazhdojmë të jemi të verbër. Unë e di që disa nga udhëheqësit që janë këtu, kjo ndoshta nuk i shqetëson. Janë të kënaqur të marrin atë copë të vogël të PD, sado e vogël apo e madhe qoftë. Por kjo do ishte vrastare për partinë tonë, që është e vetmja mundësi për një opozitë të vërtetë, ndaj një regjimi shkatërrues, rrënimtar.

Ka vetëm një mundësi që ky skenar të shmanget, dorëheqja e Lulzim Bashës dhe ndalimi i kandidimit të Sali Berishës. Ju nuk do të vini kurrë në pushtet sepse jeni konsumuar dhe keni humbur besimin e njerëzve. Ndaj jepini një shans PD duke u larguar. Ikja juaj, jo vetëm do hapte rrugë për ndryshimin e thellë të PD, por është e vetmja mundësi për të shmangur kthimin në krye të saj të Berishës, qoftë edhe në pjesën e tij të PD. Edhe disa udhëheqës të tjerë të konsumuar dhe të diskretituar. PD nuk mund ta sjellë në pushtet as Basha as Berisha. PD mund ta sjellë në pushtet vetëm një ekip i ri, i pastër dhe i aftë. Një ekip që ka ide dhe vizion të ri. Ky ndryshim mund të vijë vetëm nëse ne garantojmë: 1-Largimin e kryetarit humbës nga drejtimi i partisë; 2-Votën e anëtarësisë për të gjithë vendimet e rëndësishme, përfshirë zgjedhjen e kandidatëve; 3-Krijimin e një administrate profesionale dhe të paanshme që administron partinë”-tha Kadilli ndër të tjera në fjalën e tij.

Grida Duma: Mbështetja pa kufi për Bashën ka marrë fund ashtu edhe respekti pa kushte për autoritetin moral ndaj Berishës.

Deputetja Grida Duma në fjalën e saj ka rreshtuar një sërë kritikash ndaj Lulzim Bashës dhe i ka hequr mbështetjen pa kushte si dhe i ka dhënë fund respektit pa kushte për autoritetin moral të Sali Berishës.

“Kryetar dua të ta them sot në sy të këtyre zonjave dhe zotërinjve, që mbështetja ime pa kushte për ty ka marrë fund, ashtu siç ka marrë fund edhe respekti im pa kushte për autoritetin moral të Sali Berishës në Partinë Demokratike. Kushti im për të mbështetur ty është të hapësh sytë  e veshët ndaj të gjithë atyre demokratëve që janë pasoja e gjallë e verbërisë sonë në këto vite. Kushti im për të mbështetur ty më tutje është që të lemë verbërinë 8-vjeçare të vetëm gjembave, masakrave dhe të shikojmë së pari nga vetja sepse duhet dhe mendoj që duhet të jeni ju që të na çoni në fitore përtej Edi Ramës. Kushti im për të të mbështetur ty më tutje është për të harruar se si ta mundim Edi Ramën me të njëjtin model bunkeri që ka ndërtuar ai me PS, me një PD të gjerë, të hapur, frymëzuese dhe me moral. Unë sot jam me Lulzim Bashën. Po nga sot Basha duhet të jetë me të gjithë demokratët pa përjashtim dhe vetëm me Sali Berishën jo”.

Me dy Kuvende të zhvilluara dhe një referendum ngjarjet në PD duket se do jenë dinamike nga dita në ditë dhe do prodhojnë zhvillime të reja përditë, duke parë që tashmë organizimet në forumet brenda korinzës partiake janë organizuar.

Beteja pritet të kalojë në mjedise të reja dhe duhet që rezultati të prodhojë se kush do e drejtojë përfundimisht Partinë Demokratike apo nëse do ketë përplasje për fituesin apo krijimin e një partie të re. /Hashtag.al